Nëna e Lear Kurtit, të riut që humbi jetën disa ditë më parë në komisariatin e policisë nr.3 në kryeqytet, ka folur për herë të parë pas vdekjes së të birit.
Ajo ka ngritur dyshime se i biri ishte dhunuar nga policia. Zonja Fatmira Mustafa, tha se kur e ka parë djalin ishte një tmerr, pasi ishte i dhunuar. Në një intervistë për News 24, zonja Mustafa tha se do t’i shkojë deri në fund drejtësisë për të birin.
“Leari im nuk e meritonte këtë. Me shenjat që i kam parë ai ishte i dhunuar. E kanë dhunuar tmerrësisht. Kemi marrë një avokat. Unë dua të hiqen njollat që i kanë vënë mbi djalin tim dhe të kërkohet drejtësia. Pse këta fëmijë i marrin dhe i rrahin. Le t’i marrin e t’i mbajnë brenda. Leari ka ikur i tmerruar. Ai ishte njeri që duronte shumë. Vetëm policia e ka dhunuar se atë e donin të gjithë shokët. Nuk më pëlqen kjo botë thoshte. Ishte njeri i përgatitur për jetën. Ai ishte shumë, jo se ishte fëmija im. Ai ishte fëmija i gjithë lagjes. Të gjithë e donin. Ai nuk e meritonte këtë tmerr. Fëmijët e sotëm janë shumë të tmerruar dhe nuk kanë siguri këtu. Jam shumë e lodhur por duhet të bëhem e fortë që të kujdesem për të aty ku është. Nuk e mendoja kurrë vdekjen e djalit sidomos në këtë moshë. Un do ta gjej të drejtën e djalit”, tha zonja Mustafa.