Kryeministri Edi Rama ka vijuar replikat me deputetin e Partisë Demokratike, Agron Shehaj, i cili ka publikuar një kontratë qiraje për biznesin e bllokuar nga policia. Sipas Ramës, Shehaj duhet ta dinte se nuk mund të bësh biznes në një pallat, i cili nuk ka leje shfrytëzimi.
“Ballisti i foltores paska nxjerrë një kontratë qiraje duke treguar një leje ndërtimi, po nuk e njeh ligjin sepse në parlament flet për biznesin e tij, që nuk duhet ta fuste në një ndërtim të paligjshëm dhe duhet ta dinte që nuk bëhet biznes në një pallat që s’ka leje shfrytëzimi! Sa për lejen e ndërtimit ajo është shkelur, pra është bërë nul nga vetë ndërtuesi, që duke tejkaluar edhe 10%-shin e tolerancës ligjore e ka bërë ndërtimin objekt të sekuestrimit sipas ligjit! Po s’ke ç’i bën, nga fshehjet në kotece tek futjet në pallate pa leje, zakon ballistash”, shkruan Rama.