Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku 32-vjeçari Lear Kurti ka ndërruar jetë pasi është shoqëruar nga patrulla në Komisariatin nr 3. Fillimisht AMP njoftoi se e riu pasi ka mbërritur në komisariat nuk është ndjerë mirë dhe më pas është dërguar në Spitalin e Traumës ku edhe ka ndërruar jetë.
Por sipas raportimeve nga “Trauma”, mësohet se Kurti ka mbërritur pa shenja jete në spital. Ky nuk është rasti i parë që një i ri humb jetën në duart e policisë.
I paraburgosuri Arben Mici i vuri flakën vetes brenda komisariatit nr 5 të kryeqytetit, gjatë këtij viti.
Gjithçka ndodhi rreth orës 21:00 të së shtunës, kur Mici u lejua të dilte nga izolimi për të pirë një cigare. Me çakmakun që kishte në dorë, 26-vjeçari i akuzuar për dhunë në familje u fut në qeli, i vuri zjarrin dyshekut dhe më pas shkoi në banjë, ku dhe u gjet i pajetë. Shpresa e tij ishte që efektivët të hutoheshin nga tymi e të arratisej.
Çakmaku iu gjet në xhep bashkë me cigaret. Por vëmendjen policëve ua kishte marrë diçka tjetër, ndeshja Spanjë-Shqipëri. Për rrjedhojë, Dilaver Idrizi që u prangos pasi hodhi gruan e tij nga kati i tretë i pallatit ku jetonin, u dëmtua. Efektivi që ndërhyri, Hajredin Boja, u plagos gjithashtu. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vuri në pranga dy inspektorë Policie, Fatmir Isufin e Hajredin Bojën që mbeti i plagosur.
Enea Ftoi vdiq brenda komisariatit të Korçës, në vitin 2019
Familjarët e tij akuzonin policinë për ushtrim dhune ndaj të riut, por Prokuroria i hodhi poshtë këto pretendime.
“Pavarësisht pretendimit të familjarëve të viktimës, mbi Enea Ftoin policia nuk ka ushtruar dhunë. 27 vjeçare vdiq për shkaqe natyrore, si pasoje e ishemisë akute të miokardit. Enea Ftoi ishte përdorues i lëndeve narkotike dhe vuante nga problemet në mushkëri. Prokuroria ka marre dëshmitë e policëve dhe disa personave të shoqëruar në Komisariatin e Korçës, në kohen kur i riu ndodhej i shoqëruar, por asnjë prej tyre nuk pohon ushtrimin e dhunës ndaj Enea Ftoit”, ka shtuar më tej në argumentimin e saj prokurori.
Ilvi Meta vrau veten brenda komisariatit të Kavajës, në maj të këtij viti
Sipas hetimeve, Meta i dha fund jetës duke u vetëvarur, me lidhëset e kapuçit të bluzës brenda dhomës së ndalimit në Komisariatin e Kavajës, duke lënë mister shkakun e këtij gjesti ekstrem. Prindërit e mësuan lajmin e trishtë përmes televizorit. Babai ka akuzuar policët se e kanë rrahur djalin për vdekje, duke refuzuar që të pranojë mundësinë që ai mund të jetë vetëvrarë.
Klodian Rasha i vrarë nga efektivi Nevaldo Hajdaraj më 8 dhjetor të vitit 2020
Klodian Rasha u vra më 8 dhjetor të vitit 2020 gjatë periudhës kur i gjithë vendi ndodhej në karantinë. Hajdaraj dyshohet se i bëri thirrje të ndalojë gjatë natës dhe më pas e ndoqi duke e qëlluar me armë zjarri.
Ndërkohë Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin për dënimin me 18 vite burg të ish-efektivit Nevaldo Hajdaraj i cili vrau me armën e shërbimit të riun Klodian Rasha. Ai kishte kërkuar të njihej vendimi i shkallës së parë që e dënon me 15 vite burg por kërkesa e tij është rrëzuar nga apeli. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Hajdaraj do të vuajë 12-vite pas hekurave.