Ka nisur protesta kombëtare e pedagogëve para Universitetit Politeknik në Tiranë. Një nga pedagogët i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të bëhet “çerek burri” dhe të plotësojë kërkesat e pedagogëve duke nisur fillimisht me rritjen e pagave.
“Jetës sonë universitare po i bëhet gjëma dita ditës, nuk kemi më kohë të durojmë këtë situatë dramatike. Durimit i ka ardhur fundi ndaj jemi mbledhur sot. Shpresa nis me motivimin e stafit. Duke i trajtuar në mënyrë sa më dinjitoze, me rritjen e financimit të kërkimit shkencor në nivel rajonal e pastaj evropan. Shpresa nis me tërheqjen mbrapsht të rritjes 8% të pagave të pedagogëve duke futur duart te xhepat e studentëve. Shpresa fillon kur ne të kemi autonomi universitare dhe jo autonomi qeveritare. Greva e 2005 u mbështet nga kryeministri i sotëm por u tregua burrë një kryeministër tjetër duke dyfishuar pagat ndërsa sot çuditërisht nuk e mbështet protestën e i bëj thirrje të bëjë një çerek burri për të plotësuar kërkesat tona minimale dhe jetike”, deklaroi ai.