Në prag të ndeshjeve të para eleminatore, Shqipëri – Maqedoni dhe Finlandë – Kosovë, duket qartë që interesimi i tifozëve është maksimal. Kombëtarja jonë vjen pas finaleve të Euro 2016, ku nëpërmjet futbollit bëri krenar një komb të tërë dhe për takimin e mbrëmjes janë të gjithë elementët për t’i qëndruar pranë. Së pari, fushata e re eleminatore do të luhet në “Loro Boriçi”, një impiant i rikonstruktuar, por më së shumti ky do të jetë një derbi fqinjësh. Ballistët, tifozët e Shkëndisë së Tetovës do të jenë në numër të madh të pranishëm në Shkodës, të gjithë nën ngjyrat kuqezi. Por nuk kanë se si të mungojnë edhe Plisat e Prishtinës, të cilët që paraditen e sotme kanë populluar Velipojën, për shijuar fillimisht plazhin dhe më pas për të ndezur atmosferën në “Loro Boriçi”. Por padyshim që po aty do të jetë edhe grupimi Tifozët Kuqezi, pasi ata njohin vetëm një Kombëtare. Tashmë pjesa më e madhe e biletave janë shitur, përveç atyre në qendër të tribunës kryesore, për të cilat edhe çmimet janë vertetë të ekzagjeruara. Por edhe në Turku të Finlandës për ndeshjen tjetër të një përfaqësuese shqiptare, asaj që sot do të debutojë në fazën eleminatore të një kompeticioni, numri i tifozëve kosovarë pritet të jetë shumë i madh, aq sa në konferencën e fundit për shtyp, kapiteni i ekipit vendas u shpreh: “Nëse tifozët kundërshtarë do të jenë më të shumtë në numër? Kjo do të ishte vërtetë jo normale”. Pra tani kemi dy Kombëtare, por tifozë mjaftueshëm për të dyja.