Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj ka kundërshtuar Kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit sulmoi sot pedagogun Sandër Kovaçi, që qëndron në krye të protestës së pedagogëve. Në një postim në Facebook, sipas Syri.net, Baraj shkruan se pagat e pedagogëve duhet të rriten dhe kjo kategori e shoqërisë duhet të mbështetet nga qeveria. Baraj ka kërkuar që pedagogët të mos baltosen më duke shtuar se pagat e tyre duhet të jenë minimalisht sa të Kosovës.
Statusi:
Standardin e ҫdo vendi e përcaktojnë kryesisht tre shërbime publike, ai arsimor, shëndetësorë dhe shërbimi policor (siguria). Të gjithë këto sektorë kanë nevojë për një reformë të plotë pagash. Kështu do mund të frenohet hemoragjia e mjekëve, pedagogëve të rinj dhe rinisë në përgjithësi. Minimalisht, pagat duhet të jenë sa në Kosovë dhe vendet fqinjë. Sa i takon korrupsionit, është plagë që ka prekur të gjitha shtresat, por një gjë e them me siguri se arësimi është pjesa më pak e prekur në raport me strukturat e shtetit dhe ato politike. Këto ditë u zhvillua kongresi i nanoteknologjisë, ku morën pjesë shkencëtarë nga 26 vende. I ftuar ishte edhe Prof. Dr. Dhimitër Bello, ish student i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, sot zv dekan në Universitetin e Massachusetts. Me emocion dhe zë të lartë tha: “U bëra 50 vjeҫ por ekip profesorësh si ai i FSHN nga përkushtimi, ndershmëria dhe dija ende skam takuar. Sot shtoi, edhe në USA, shkolla është kthyer në biznes”. Të tillë pedagogë kishte ҫdo fakultet në ato vite. Edhe atëhere këta ishin superiorë nga ҫdo pikëpamje ndaj shtresësh politike. Edhe sot, mendoj, profesorati është pjesa më e ndershme. Ai ka nevojë të përkrahet me fonde, me ndryshime ligjore, me heqjen e burokracisë, dhënien e më shumë kopetencave departamentit dhe profesoratit. Pa dyshim le ti nënshtrohet auditeve e kontrolleve. Pyll pa derra nuk ka, por kurrë nuk mund të hidhet baltë mbi ta në tërësi. Kjo është njesoj si të baltosësh të tërë shoqërinë shqiptare. Mësuesi, futet në ҫdo shtëpi, nëpërmjet nxënësve. Hedhja baltë mbi mësuesin, spërkat dhe nxënësin, bile bën pis edhe prindërit. I thua atij largohu nga ky vend, nuk të arsimon! Ky vend ka nevojë për modele pozitive, ato i gjen kudo po ti kërkosh. Mjaft më me baltosje!!!
Reagimi i Barajt vjen pas replikave në distancë mes Ramës e Kovaçit.