Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim sot me operatorë turistikë dhe të hotelerisë në Gjirokastër. Rama u ndal te situata energjetike, duke u bërë thirrje qytetarëve të kursejnë sa më shumë pasi një dimër i vështirë është para dhe se nuk duhen dëgjuar “hienat” e opozitës.
Gjithashtu, deklaroi se ai dhe kolegët e qeverisë mërziten kur nuk shohin shi pasi kështu mund të rritet çmimi i energjisë, që nisur nga deklaratat e Ramës, kjo ditë nuk do të jetë e largët.
“Nuk është një situatë rozë, është shqetësuese, bashkë me botën edhe fshati më i largët i Gjirokastrës ka hyrë në një epokë të re rreziku që vjen nga përshkallëzimi i një lufte. Ne jetojmë shumë me llafe llafe, imazhe, nëpër TV. Edhe pse nuk jemi aty ku hidhen bombat, jemi nën goditjen e inflacionit, të luftës së Putin, të agresionit ekstrem ndaj Perëndimit. Po flitet për dimrin më të vështirë këtë vit, sepse janë ulur shumë burimet e energjisë elektrike dhe ngrohjes. Jemi në kthesë turistike, jemi ende të pagoditur nga rritja e energjisë elektrike, në faturën tuaj ajo që nuk duket e paguan arka e shtetit. E shtymë fashën 800 këh sepse krijuam një mundësi, por më për andej na duhen reshjet. Unë bashkë me kolegët e qeverisë kemi një mërzi të brendshme sa herë hapim sytë dhe nuk shohim shi, por nga ana tjetër duhet kursim. Muzeu etnografik dhe shtëpia muze e Ismail Kadaresë janë tashmë muze europianë, falë përkujdesjes së ministrisë, drejtueses së qarkut e cila i qepet çdo lloj pune që ka të bëjë me Gjirokastrën por edhe falë një projekti të famshëm dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, dhe ndërkohë dritat ishin ndezur, se e kemi sistemin se ndizen të gjitha menjëherë, dakord por duhen kursyer. S’duhen dëgjuar hienat e të djathtës së rublave që shajnë ministren dhe ata që flasin për kursim”, u shpreh Rama.