Ekspertiza mjekoligjore, ka zbardhur detaje të reja lidhur me vdekjen e 16-vjeçarit, Mariglen Gjonaj i cili në vitin 2015 u shpall i zhdukur, ndërsa ditën e djeshme policia konfirmoi se eshtrat e gjetura në Lezhë i përkisnin të miturit.
Sipas ekspertizës, vrasësi Kristjan Cenaj, i cili e ka vrarë 16-vjeçarin për t’i grabitur orën “Rolex” dhe një varëse, e ka goditur më parë Gjonajn me sende të forta në kokë duke i shkaktuar dëmtime në kafkë.
Cenaj po mbahej në vëzhgim që prej muajit gusht, ndërsa u arrestua ditën e djeshme në Rinas pasi u kthye nga Italia. Ndërkohë nëna e të miturit, prej vitesh ka kërkuar të gjejë një shenjë nga djali i saj i cili ra pre e një grabitësi vrasës.
I riu rezultonte i zhdukur që prej vitit 2015. Asokohe, prindërit e tij deklaronin se dikush mund t’i ketë bërë keq, pasi adoleshenti atë ditë ka pasur në dorë orë “Rolex” dhe disa bizhuteri që kapnin një vlerë prej 10 mijë eurosh. Ata kishin bërë denoncim në polici, por ende nuk ishte zbuluar asnjë e dhënë deri në momentin që u zbuluan eshtrat dhe u bë identifikimi i autorit.