Drejtori i Policisë, Muhamet Rrumbullaku nuk ka ende një përgjigje për fatin e “Mbretit” të lojërave të fatit, Ervis Martinajt, ndonëse u bënë thuajse tre muaj nga zhdukja e tij.
Rrumbullaku është pyetur vazhdimisht për fatin e të shumëkërkuarit, por drejtori i policisë u shpreh se nuk ka asgjë për të shtuar, ndërsa theksoi se po ushtrohen kontrolle dhe po ndiqet procesi i hetimit për fatin e Ervis Martinajt.
“Ne jemi duke punuar. Kemi struktura që po ndjekin rastin jemi në ecuri të procesit. Nuk kam asgjë më tepër për të deklaruar,” tha Rrumbullaku.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit, ndërsa për herë të fundit është parë në zonën e Durrësit, më pas në Zogun e Zi në Tiranë, ndërsa gjurmët e fundit të tij janë në zonën e Shijakut ku edhe përflitet se është shitur nga një grup kriminal që operon në këtë zonë.