Pas vizitës së papritur që zhvilloi në Turqi ditën e djeshme, kryeministri Rama ndodhet sot në Strasburg, ku do ti drejtohet me një falim asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, që të rishikojë rezolutën 1782 të vitit 2011 ose atë që njihet ndryshe si raporti i Dick Marty-t.
Shqipëria do të kërkojë hedhjen poshtë të akuzave për trafikim të organeve të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovës, të cilat janë në raportin e senatorit zviceran. Kreu i qeverisë, do të mbajë një fjalim 60 minuta të gjatë përpara anëtarëve të këshillit. Më 21 korrik, kuvendi i Shqipërisë votoi unanimisht me 125 vota pro rezolutën që do të prezantohet nga Rama.
Kjo rezolutë i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të realizojë një raport vijues dhe më pas ndryshimin e raportit të vitit 2011, ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë.
Raporti i hartuar nga Dick Marty dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikimin e organeve kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve ’98-’99.