Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje të tjera në lidhje me gjobën 500 mijë euroshe që i është vendosur një personi të quajtur Elton Shahini, në Shijak. E ftuar në “Opinion”, Lala tha se takimit që Artan Hoxha nxorri në videon ku shihej Astrit Avdylaj dhe Arbën Mërkuri, i njohur si Maneci (sot i vrarë), i ka paraprirë një pengmarrje.
Lala tha se personat që i kanë vendosur gjobën Shahinit, kanë rrëmbyer një person dhe kanë pritur 500 mijë euroshin për ta liruar. Por, sipas gazetares, Shahini është dorëzuar dhe u ka thënë ta mbajnë pengun pasi nuk jepte dot më shumë se 240 mijë euro. Më pas, personi i rrëmbyer është liruar.
“Këtij takimi i ka paraprirë një rrëmbim dhe një mbajtje peng e një personi. Personi është liruar pasi Elton Shahini ka thënë ‘mbajeni nuk paguaj dot më shumë se 240 mijë euro’. Nuk duam të dalim e të shtyjmë konflikte të reja,”- tha Lala ndër të tjera.
Kush është Elton Shahini?
Dosja e Elton Shahinit nuk është bërë publike. Artan Hoxha publikoi një video ku shihej Astrit Avdylaj dhe Arben Mërkuri i njohur si Maneci (sot i vrarë), të cilët shiheshin në derën e një shtëpie. Gzetari tha se ata kanë ndërmjetësuar një gjobë që i është vendosur Shahinit, prej 500 mijë euroshe. Shahini ka paguar vetëm 240 mijë euro, por më pas është larguar nga Shqipëria me familjen e tij duke ndërruar identitet.