Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka cilësuar të padrejtë vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit Besnik Cani. Ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani, u shkarkua nga shkalla e dytë e Vettingut, Kolegji i Posaçëm i Apelit.
Ai ishte konfirmuar në detyrë më 27 nëntor 2018 nga shkalla e parë e Vettingut dhe 2 javë më pas u zgjodh anëtar i KLP-së.
Vendimi u ankimua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe nga Komisioneri Publik të cilët kishin rezerva për konfirmimin në detyrë të tij për shkak të problemeve me pasurinë, aftësitë profesionale dhe shkeljen e etikës.
Sipas Komisionerit Publik, vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte “kontradiktor dhe jo-bindës” dhe se ishte marrë në interpretim të gabuar të ligjit.