“Sot është fillimi i një epoke të re për Bullgarinë dhe për Europën Juglindore,” tha presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, duke folur në ceremoninë për hapjen e Gazsjellësit Greqi-Bullgari (IGB) në Sofje.
Presidentja e Komisionit Europian tha se projekti i gazit natyror midis Bullgarisë dhe Greqisë ka qenë në diskutim për mbi dhjetë vite.
“Projekti filloi në vitin 2009, në një kohë, në fakt, kur Bullgaria u prek nga vendimi i Gazprom për të ndaluar rrjedhën e gazit natyror përmes Ukrainës. U desh shumë vendosmëri për të arritur qëllimin”, theksoi ajo, duke falënderuar qeveritë në Greqi dhe Bullgari për kontributin dhe vendosmërinë e tyre në zbatimin e projektit.
“Bashkimi Europian e ka mbështetur projektin që nga dita e parë, si politikisht ashtu edhe financiarisht”, theksoi presidentja e Komisionit, duke kujtuar se mbështetja financiare ishte 250 milionë euro.
Duke nënvizuar rëndësinë e projektit për Bullgarinë, Ursula von der Leyen kujtoi se vendi ballkanik merrte 80% të gazit natyror nga Rusia përpara se Putini të vendoste të fillonte, siç theksoi ai, luftën në Ukrainë dhe një luftë energjetike kundër Europës.