Kryeministri, Edi Rama ka folur ditën e sotme për ecurinë e turizmit në vendin tonë gjatë këtij sezoni. Duke folur për mënyrën sesi Shqipëria perceptohej më herët nga të huajt, Rama tha se tashmë vendi njihej për pastërtinë e ofruar duke nisur nga Tirana.
Por gjatë këtij përcaktimi, Rama ka përjashtuar bashkinë e Vlorës, duke e konsideruar menaxhimin për pastërtinë si një dështim spektakolar. Mesa duket raporti i Ramës dhe i kreut të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli vijon të jetë i ftohtë, pasi kritikat për këtë të fundit kryeministri nuk i ka kursyer sa herë i është dhënë mundësia.
“Kemi qenë vend që bënim lajm për pisllëkun, që dilnim për mediat e tjera si një vend i ndotur. Kemi pasur një gangrenë, fushën e djegies së mbeturinave në Spitallë të Durrësit. Sot Shqipëria bën lajm për të kundërtën. Është mes vendeve që rekomandohet për t’u vizituar dhe për të kaluar pushimet. Sot me përjashtimin spektakolar të bashkisë së Vlorës, mund të themi se kemi pasur një sezon relativisht të pastër, duke filluar nga Tirana. Natyrisht Tirana ka probleme me pastrimin në pika të caktuara por fillojnë me pastërtinë. Sot ne kemi të gjitha mundësitë të shikojmë atë që do jetë Shqipëria e 2030-tës si një potencë turistike në gjithë këtë rajon. Investimet që po bëhen janë të një proporcioni që e mundëson këtë ambicie. Madje edhe me një pjesëmarrje në rritjen e cilësisë së vendeve të punës dhe larmisë të këtyre vendeve të punës. Aeroporti i Vlorës po ecën me ritme shumë të mira dhe është i garantuar nga marrëveshja me aeroportin e Mynihut i cili do jetë operator i aeroportit të Vlorës”, tha Rama.