Deizi Arapi, 27-vjeçarja e cila u pyet në polici për djegien e mjetit të saj gjatë mesnatës së sotme, ka dyshime për më shumë se 1 person si autor i ngjarjes. Gjatë pyetjes nga grupi hetimor, 27-vjeçarja ka përmendur 10 emra, për të cilët dyshon se mund të kenë ndërmarrë aktin e djegies së makinës së saj përpara banesës. Policia ka nisur hetimet në disa pista, teksa ende vijon marrja në pyetje e personave që janë përmendur nga e reja.
E reja, e cila njihet nga policia pas shoqërimit një muaj më parë për prishje të qetësisë publike, hodhi dyshimet publikisht për ish-kryebashkiakun e Devollit, Bledion Nallbatin. Ajo u shpreh se me deputetin e Partisë Demokratike ka pasur konflikte në të shkuarën pasi i largoi nënën nga puna. Mirëpo, nga ana tjetër, Nallbanti ka mohuar akuzat duke paralajmëruar se do të ngrejë padi ndaj 27-vjeçares.
Kjo nuk është hera e parë që Arapit i digjet mjeti. Në vitin 2018, disa persona ende të paidentifikuar i vunë zjarrin mjetit të saj tip ‘Smart’.