Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë kongresmenin amerikan Eliot Engel, i cili ndodhet në një vizitë pune në Shqipëri.
Kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen dhe bashkëpunimin e Kongresmenit Engel me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nishani u shpreh se: “është gjithmonë kënaqësi mikpritja e një kongresmeni amerikan në Tiranë, por vizita dhe prania juaj na jep një gëzim të veçantë, si mua personalisht si President i vendit ashtu edhe të gjithë shqiptarëve”.
Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe e të qenësishme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Presidenti i Republikës theksoi ndër të tjera se, Shqipëria dhe shqiptarët i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara si mikun dhe aleatin e saj strategjik më të madh dhe e siguroi kongresmenin amerikan Engel se shqiptarët me krenari të veçantë e legjitime do të jenë gjithnjë krah Shteteve të Bashkuara në përballimin e sfidave globale dhe në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar e ekstremizmit të dhunshëm me baza fetare. “Shqipëria është e vendosur për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin, si në nivel rajonal ashtu edhe në nivel global” – u shpreh Kreu i Shtetit.