Kampionët në fuqi të botës, mbyllën fazën përgatitore me fitoren minimale 2- 0 ndaj Finlandës. Ky takim do të mbahet mend si ndeshja e fundit e kapitenit Bastian Schweinsteiger me përfaqësuesen e Gjermanisë. 32-vjeçari bavarez zhvilloi ndeshjen e lamtumirës në një stadium ku ishin të pranishëm rreth 31 mijë spektatorë, me trajnerin Joachim Low që i dha mundësinë për të debutuar 20-vjeçarit Niklas Sule.
Pas një pjese të parë pa gola dhe me disa raste të mira për gjermanët, më pjesën e dytë barazpesha zgjati vetëm 10 minuta, sepse Gjermania kaloi në epërsi, kur pas një krosimi të Mario Gotze-s nga e djathta Volland la topin për Max Meyer, që nuk e pati aspak të vështirë për të shënuar.
Momenti më emocionues i ndeshjes, ishte kur Schweinsteiger doli nga fusha i përlotur, duke e ndalur historinë e tij me përfaqësuesen te ndeshja e 121 me kombëtaren, me të gjithë në këmbë duke duartrokitur dhe me fansat që e nderuan kapitenin me parullat e tyre “danke” apo “servus Basti”.