Ish kryeministri Sali Berisha ka denoncuar kryeministrin Edi Rama se përmes pazareve po legalizon ndërtimet pa leje dhe ka ngritur akuzën se shefi i qeverisë mund të jetë aksioner në çdo kullë që ndërtohet.
Berisha tha se për qeverinë e Ramës ligji nuk është i njëjtë me qytetarët dhe ndërtuesit që amniston Rama. Sipas tij, për një kotec apo avlli janë dënuar me burg 3400 qytetarë.
“Ligjet e vendit, kanë parashikuar se çdo ndërtim pa leje, konfiskohet dhe autori i këtij ndërtimi dënohet sipas llojit të ndërtimit, 5-8 vjet burg. Këto janë dispozitat e përcaktuara në Kodin Penal e të votuara nga kjo pseudo-mazhorancë. Për një kotec, për gjysmë çatie, për një avlli, qoftë dhe shtesë dhomë apo kat janë dënuar me burg 3400 qytetarë shqiptarë. Janë ndjekur penalisht mijëra të tjerë. Kurse tani, kur vjen problemi te kullat e qeverisë, te pallatet e qeveritarëve dhe klientelës së tyre, për ata ligji nuk ekziston. Rama bën vendimin e amnistisë së tyre. Ky është një provokacion i ulët për çdo shqiptar. Ky është dhunim flagrant i parlamentit, i cili me Kushtetutë është institucioni i vetëm që ka të drejtën e amnistisë. Për pallatet misteri i Belindës, për kullat 8 kate mbi lejen, jo që nuk ka asnjë ndëshkim, por ka legalizim mbi bazën e një pazari të turpshëm të Ramës. Qytetarët flasin se Rama është aksioner në çdo kullë, unë nuk mund të them por një njeri që firmos një akt të tillë që shkelmon mbi Kushtetutën, mbi Kushtetutën penale të vendit, që bllokon, nuk ka asnjë të drejtë as Presidenti të faljes për ata që janë në proces gjyqësor. Këtu një njeri që kontrollon cdo pushtet dhe ka interesa vetëm pasurimin e tij e të familjes i lejon vetes një akt të tillë”, tha Berisha.