Një avion ka bërë një ulje emergjence në Aeroportin “Shannon” të Irlandës për shkak të turbulencave në ajër, gjë që ka shkaktuar edhe 16 të plagosur.
Fluturimi i “United Airlines” ishte nisur nga Hjustoni i Teksasit me destinacion Aeroportin “Heathrow” të Londrës. Por, turbulencat gjatë fluturimit bënë që linja ajrore të ndalonte fillimisht në Irlandë. “Avioni devijoi kursin e tij për në Aeroportin ‘Shannon’ në Irlandë, ku është pritur nga një personel mjekësor”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
“United Airlines po ofron të gjithë kujdesin e mundshëm dhe mbështetjen ndaj pasagjerëve dhe ekuipazhit të fluturimit UA-880, që ra prè e turbulencave të papritura gjatë fluturimit nga Hjustoni në Londër gjatë ditës së sotme”, tha linja e transportit ajror.