Kryeministri në detyrë i Malit të Zi Dritan Abazoviç u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri më i rëndësishëm i politikës së jashtme të Malit të Zi dhe presidenti amerikan Joe Biden mund ta shpëtojë Ballkanin Perëndimor nga rënia nën ndikimin rus dhe kinez.
Gjatë një vizite që po zhvillon në SHBA, Abazoviç tha se do të dëshironte që Biden të përdorë urdhra ekzekutiv për të sanksionuar njerëzit e përfshirë në korrupsion dhe të lidhur me qeveritë ruse apo kineze.
“Jam i kënaqur që Presidenti Biden e ka bërë Ballkanin Perëndimor prioritetin e tij. Gabriel Escobar është mjaft aktiv në rajon dhe ambasadorët që kanë ardhur në rajon janë ambasadorë cilësorë dhe me përvojë, të cilët e kuptojnë realisht rajonin. Mesazhi im për Biden është i thjeshtë. Presidenti Biden duhet të përdorë urdhra ekzekutivë për të sanksionuar njerëzit e përfshirë në korrupsionin e nivelit të lartë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është mënyra më e mirë dhe më e thjeshtë për presidentin Biden për të shpëtuar Ballkanin Perëndimor. Nëse rajoni lëviz në drejtim të nacionalizmit dhe konfliktit, ne do të bëhemi një objektiv i lehtë për ndikimin e huaj. Pavarësisht nëse është ndikimi rus apo ndikimi kinez, nëse Biden mendon se ndikimi i huaj duhet të parandalohet, ai duhet të sanksionojë njerëzit. Kjo do të mjaftonte për të ndaluar aktorët politikë që po udhëheqin Malin e Zi dhe rajonin në këtë rrugë”, tha Abazoviç.
Komponenti i dytë i vizitës së Abazoviçit në Uashington është ai i bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor ku ai ritheksoi dhe njëherë qëndrimin e tij për nismën e Open Ballkan të inicuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.