Funerali i Mbretëreshës të hënën do të jetë një nga tubimet më të mëdha të familjes mbretërore dhe politikanëve të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar për dekada.
Ftesat u bënë gjatë fundjavës dhe rreth 500 krerë shtetesh dhe personalitete të huaja pritet të marrin pjesë. Shumicës së liderëve u është kërkuar të mbërrijnë me fluturime komerciale dhe u është thënë se do të transportohen masivisht me autobus nga një zonë në perëndim të Londrës.
Ceremonia do të mbahet në Ëestminster Abbey, që ka një kapacitet për rreth 2200 njerëz.
Ja çfarë dihet deri tani se kush do të marrë pjesë dhe kush nuk do të jetë i pranishëm.
Priten anëtarë të familjeve mbretërore nga e gjithë Evropa, shumë prej të cilëve ishin të afërm gjaku të Mbretëreshës. Mbreti Philippe i Belgjikës dhe Mbretëresha Mathilde kanë konfirmuar se do të jenë atje, ashtu si edhe Mbreti Willem-Alexander dhe gruaja e tij, Mbretëresha Maxima, së bashku me nënën e tij, ish-mbretëresha holandeze, Princesha Beatrix. Mbreti Felipe dhe Mbretëresha Letizia e Spanjës kanë pranuar gjithashtu ftesën, ashtu si edhe familjet mbretërore të Norvegjisë, Suedisë dhe Danimarkës.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se presidenti Joe Biden do të marrë pjesë së bashku me Zonjën e Parë Jill Biden, edhe pse mendohet se ata nuk do të udhëtojnë për në shërbim me autobus. Ka pasur spekulime se disa ish-presidentë dhe zonja të para – veçanërisht çifti Obama – mund të marrin ftesa private.
Jimmy Carter, i cili shërbeu si president nga viti 1977 deri në vitin 1981, nuk ka marrë një ftesë, tha zyra e tij për Politico.
Udhëheqësit e Komonuelthit
Pritet që të marrin pjesë liderë nga i gjithë Komonuelthi, ku Mbretëresha shërbeu si kreu gjatë gjithë mbretërimit të saj. Kryeministri australian Anthony Albanese ka pranuar një ftesë, ashtu si kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern dhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau.
Një numër i guvernatorëve të përgjithshëm që shërbejnë si përfaqësues i monarkut në një mbretëri të Komonuelthit pritet të marrin pjesë me udhëheqësit e vendeve të tyre.
Kryeministri afatgjatë i Bangladeshit, Sheikh Hasina dhe presidenti i Sri Lankës, Ranil Wickremesinghe gjithashtu thuhet se kanë pranuar ftesat. Kryeministri indian, Narendra Modi ende nuk ka konfirmuar nëse do të jetë atje.
Liderë të tjerë botërorë
Udhëheqës të tjerë botërorë që thuhet se kanë pranuar ftesat përfshijnë Micheal Martin, presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, presidentin italian Sergio Mattarella, si dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-Yeol dhe ai brazilian, Jair Bolsonaro kanë konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen e tyre.
Pritet të jenë të pranishëm edhe perandori japonez Naruhito, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe presidenti francez Emmanuel Macron.
Nuk dihet nëse presidenti kinez Xi Jinping, vizitat e të cilit në Kazakistan dhe Uzbekistan këtë javë do të shënojnë herën e parë që ai largohet nga Kina që nga fillimi i pandemisë Covid-19, do të marrë një ftesë apo do ta pranojë atë.
Republika Islamike e Iranit, prej kohësh subjekt i sanksioneve ndërkombëtare për programin e saj bërthamor, do të përfaqësohet vetëm në nivel ambasadori, thanë burimet e Whitehall.
Të paftuarit
Asnjë përfaqësues nga Rusia, Bjellorusia apo Mianmari nuk është ftuar, thotë James Landale i BBC-së.
Marrëdhëniet diplomatike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë janë shembur që nga pushtimi rus i Ukrainës dhe një zëdhënës i presidentit rus Vladimir Putin tha javën e kaluar se ai “nuk po e konsideronte” pjesëmarrjen në funeral.
Pushtimi u nis pjesërisht nga territori i Bjellorusisë, presidenti i së cilës, Aleksandr Lukashenko, është një aleat i ngushtë i Presidentit Putin.
Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka zvogëluar ndjeshëm praninë e saj diplomatike në Mianmar që nga një grusht shteti ushtarak në vend në shkurt 2021.