Deputetja e Partisë Demokratike, Jorioda Tabaku ka deklaruar se këtë vit ka një rënie me tre herë të regjistrimit të fëmijëve në shkolla, ç’ka sipas saj është një kambanë alarmi për rënien demografike dhe shkretimin e vendit.
Tabaku thekson se prej vitesh qeveria Rama nuk ka pasur në fokus politikat për të ndaluar hemorragjinë e largimit të shqiptarëve.
“Suksese të gjithë fëmijëve dhe të rinjve që kanë nisur sot vitin shkollor. Fatkeqësisht regjistrimet këtë vit shkollor janë thuajse 3 herë më të ulëta se sa një vit më parë duke qenë një tjetër tregues i rënies demografike dhe shkretimit të vendit. Prej vitesh politikat e qeverisë nuk janë fokusuar në këtë betejë për të ndaluar hemoragjinë e largimit të shqiptarëve. Na duhet punë dhe përkushtim për t’i rikthyer shqiptarët në vendin e tyre, dy cilësi që kjo qeveri dhe mazhorancë nuk i zotëron edhe pse uron përvit prej 8 vitesh vitin e ri shkollor me suksese që patjetër janë imagjinare dhe propagandë për sa kohë numri i nxënësve bie”, thekson Tabaku.