Në Bërdo të Sllovenisë mbahet të hënën samiti i Procesit Bërdo-Brioni, ku do të diskutohet për situatën në Ballkanin Perëndimor.
Përveç mikpritësit të takimit, presidentit slloven, Borut Pahor, është paralajmëruar se do të marrin pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i Shqipërisë, Bajram Begaj, i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviç, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviç, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiç.
Kabineti i Pahorit ka njoftuar më herët se samiti i Procesit Bërdo-Brioni, do të jetë një mundësi për të rishikuar situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe për t’iu bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit.
Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë.
Qëllimi i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE./REL