Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken shkruan se nuk do të tolerohet asnjë sulm ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo aleatëve. Në një postim në rrjetet sociale, Blinken shkruan se Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit e Ministri për sulmet kibernetike akuzohen për përfshirje në aktivitete të aktivizuara kibernetike kundër SHBA-së dhe aleatëve.
“Ne po caktojmë Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit dhe ministrin e tij për përfshirje në aktivitete të aktivizuara kibernetike kundër SHBA-së dhe aleatëve tanë. Ne nuk do të tolerojmë sulme kibernetike që synojnë interesat, infrastrukturën ose shërbimet e SHBA-së ose të aleatëve tanë,”- shkruhet në postim.
Sanksionet u lajmëruan nga DASH, Në faqen zyrtare bëhej me dije se dy ministrat iranianë janë futur në listën e zezë dhe pasuria u është sekuestruar. Sipas DASH, që nga viti 2007, MOIS dhe përfaqësuesit e tij të aktorëve kibernetikë kanë kryer operacione keqdashëse kibernetike që synojnë një sërë organizatash qeveritare dhe të sektorit privat në mbarë botën dhe në sektorë të ndryshëm të infrastrukturës kritike.
Shqipëria vendosi ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Vendimi u bë me dije nga Kryeministri Edi Rama, i cili konfirmoi me zë e figurë që Irani ka sulmuar të dhënat e shtetit shqiptar. Ai i dha 24 orë kohë trupës diplomatike të Ambasadës së Iranit që të largohet nga vendi ynë. Sipas Ramës, Irani kishte kontraktuar 4 grupe për të kryer sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, ngjarje e ndodhur gjatë muajit korrik, ku shërbimet online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht.