Charles III do të shpallet zyrtarisht mbret nesër, të shtunën, gjatë një takimi të Këshillit të Trashëgimisë në Londër, tha në një deklaratë Buckingham Palace, ndërsa Byroja e Parlamentit Britanik njoftoi se ai do t’i drejtohet popullit britanik në orën 18:00.
Këshilli i Trashëgimisë do të mblidhet nesër në orën 10:00 në Pallatin e Shën Jakobit dhe shpallja e Charlit si mbret do të lexohet publikisht një orë më vonë nga jashtë asaj rezidence dhe më pas të nesërmen, në të gjitha provincat e Mbretërisë së Bashkuar.
Këmbanat e kishave ranë sot në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar për nder të Mbretëreshës Elizabeth II, e cila vdiq dje, të enjten, në moshën 96-vjeçare pas 70 vitesh në fron.
Këmbanat e Katedrales së Shën Palit dhe Abacisë së Uestminsterit në Londër, si dhe ato të Kullës Windsor, filluan të binin ndërsa Mbreti i ri Charles III ishte rrugës për në Londër nga rezidenca e tij Balmoral në Skoci.
Kryeministrja britanike Liz Truss bëri homazhe për mbretëreshën e ndjerë sot në Parlament, duke përshëndetur “një nga udhëheqësit më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë bota” dhe “diplomatin më të madh” të Mbretërisë së Bashkuar.
“Fjalët e saj të mençura na dhanë forcë në momentet më të vështira. Në momentet më të errëta të pandemisë na dha shpresë se do të takohemi sërish”, u shpreh kryeministrja e veshur me të zeza, e cila do të pritet pasdite nga Mbreti Charles III.