Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas shkarkimit të drejtorit të Policisë, Gledis Nano duke publikuar një deklaratë të tij për median franceze ku flet për dekonspirime operacionesh.
Meta shprehet se tani është i qartë objektivi që nuk realizoi Gledis Nano gjë që solli shkarkimin e tij, ndërsa nuk kurseu akuzat për kryeministrin Rama.
“Tani është e qartë se cili është objektivi që nuk realizoi Policia e Shtetit, që solli si pasojë shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm. U dekonspiruan vetëm 14, por duhej të dekonspiroheshin të gjithë. Çdo shtet ka mafien e tij por këtu mafia ka shtetin e vet. Ndaj një orë e më parë për të shporrur Kryeministrin e Krimit dhe Shpopullimit!”, shkruan Ilir Meta.
Ish-drejtori i Policisë, Gledis Nano para se të shkarkohej nga detyra ka dhënë një intervistë për emisionin “Hetime Ekskluzive” për kanalin francez Metropole. Ndër të tjera, Nano është shprehur se janë arratisur 14 kriminelë të rrezikshëm, kjo pasi janë dekonspiruar operacionet e policisë për kapjen e tyre.