Vetëm pak orë pasi policia italiane zbardhi një ekzekutim të tipit mafioz në zonën e Breshias, një tjetër ngjarje e rëndë me viktimë shtetas shqiptar është regjistruar në Torino.
Një i ri, i cili bëhet me dije se ka qenë biznesmen, është gjetur i ekzekutuar në një arë në një fshat të Torinos. Ai ishte denoncuar i zhdukur, pasi familja kishte humbur kontaktet me të që prej orëve të para të datës 2 gusht, ndërkohë që Policia dhe familjarët kanë nisur kërkimet.
Policia italiane është mjaft e rezervuar në lidhje me të dhënat mbi ekzekutimin mafioz të Fatmir Arës, 43 vjeç, nga Shkodra, baba i dy fëmijëve. Por mediat lokale kanë mundur të hedhin dritë mbi atë çka ata kanë ruajtur në memorien e tyre për këtë personazh. Sipas të dhënave të publikuara ditën e djeshme u bë me dije se Fatmir Ara në vitin 2018 ishte arrestuar nga Policia torineze për shkak se gruaja e kishte denoncuar për dhunë në familje.
Madje, sipas të dhënave të mediave vendase ajo e kishte denoncuar jo vetëm për dhunë, por edhe për përfshirje në punë të kundërligjshme, që sipas Policisë kishte të bënte me mbajtjen e armëve të zjarrit. Fatmir Ara ishte arrestuar e bashkë me të asokohe u arrestua edhe një efektiv i Policisë, i cili doli i përfshirë në ndërhyrjen për të shmangur arrestimin e mikut të tij nga Shqipëria.
Nuk dihet se sa kohë burg ka bërë viktima e ekzekutimit mafioz në Torino, por në llogarinë e tij në rrjetet sociale ai duke se ka qenë i lirë që në vitin 2020, kohë kur edhe ka kryer ceremoninë e pagëzimit të djalit në Kishë. Policia italiane ka bërë me dije se ai u gjet i vrarë në anë të një rrugë në një fushë ku trupi i tij ishte fshehur pas një karroce të braktisur. Nuk dihet nëse Ara është vrarë aty apo në ndonjë vend tjetër dhe trupi është hedhur në vendin ku u gjet.