Ditën e sotme do të mbahet një tjetër protestë kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave para godinës së Qeverisë së Kosovës pas asaj të mbajtur pas përdhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
Protesta organizohet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Femnist, YIHR KS, CEL, QIKA, QIPS dhe QKSGj dhe nis në orën 12:00.
Rasti i 11-vjeçares ka shokuar opinionin publik ku javën e kaluar u organizuan protesta masive në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup ku u kërkua drejtësi dhe ndëshkim maksimal për autorët.
Pas rastit të përdhunimit të 11-vjeçares dhe zbulimit të detajeve shokuese, ku e mitura ishte dhunuar dhe më parë në muajin qershor, në Kosovë ka pasur disa dorëheqje të zyrtarëve të lartë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Dragodan të Prishtinës më 27 gusht, ku 5 burra, mes tyre 3 të mitur, kanë dhunuar e përdhunuar një 11-vjeçare për 7 orë në një nga parqet e kryeqytetit. Fillimisht janë arrestuar 4 nga 5 autorët e dyshuar të ngjarjes ndërkohë që i pesti u dorëzua në polici pas 3 ditësh.