Qyteti i Shëngjinit vazhdon të jetë nën pushtetin e flakëve dhe tymit. Gjatë natës në të gdhirë e premtja, flakët kanë përparuar drejt malit afër qendrës së qytetit, ndërsa deri në orën 10 të paradites, asnjë ndërhyrje nga ajri nuk kishte nisur.
Situata ndryshoi kur në Shëngjin u dëgjua zhurma e helikopterit të vetëm i cili u angazhua për fikjen e flakëve. Forcat e Zjarrfikseve ishin në gatishmëri, por terreni i thyer dhe mungesa e infrastrukturës e bën të pamundur ndërhyrjen e tyre.
Një kompleks rrezikohej nga riaktivizimi i një vatre zjarri, por me ndërhyrjen e 60 forcave zjarrfikëse u bë i mundur lokalizimi i flakëve.
Ndërhyrjet vazhdojnë më shumë nga ajri sesa nga toka. Era në Shëngjin ndryshon shpesh drejtim duke favorizuar përhapjen e flakëve në të gjitha anët.
Dy vatra zjarri shpërthyen një ditë më parë në zonën e Shëngjinit duke djegur sipërfaqe të mëdha toke. Deri tani nuk raportohen dëme në njerëz ose bazë materiale.
Policia e Lezhës pasditen e së enjtes arrestoi edhe autorin e zjarrvënies Preng Pergjoni, 63 vjeç banues në Lezhë, i cili kishte vënë qëllimisht zjarrin për ripërtëritjen e kullotave.