Supermashtruesi i kriptomonedhave, Faruk Fatih Özer, i cili u arrestua dy ditë më parë në një plazh në jug të Shqipërisë do të dalë nesër para Gjykatës në Elbasan. Ai pritet të dalë para gjykatës rreth orës 09:30.
Që prej kohës që ishte arratisur nga Turqia, Faruk Ozer, jetonte në vende të ndryshme, ndërsa së fundmi banonte në lagjen “5 maji” në Elbasan. Faruk Fatih Özer u arratis nga Turqia duke mashtruar dhjetëra mijëra turq, të cilët kishin investuar paratë e tyre në monedhën virtuale turke “Thodex”, e cila shpalli falimentin.
Ozer është larguar nga Turqia me 2 miliardë dollar në kriptomonedha duke humbur të gjitha gjurmët. 27-vjeçari është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore turke dhe nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lyon.
Faruk Ozer rezultoi të ishte futur në Shqipëri nga pika e kalimit kufitar të Rinasit më 20 prill të vitit të shkuar, ndërkohë që dolën dhe pamje filmike nga momenti kur ai u akomodua në një prej hoteleve të kryeqytetit.
Ndërkohë përmes një postimi në Twitter Ozer mohoi asokohe akuzat, ku theksonte se kompania ishte në shënjestër të një fushate shpifjesh. Sipas tij, kompania pezulloi përkohësisht aktivitetin, pasi llogaritë treguan një aktivitet të pazakontë për shkak të një sulmi kibernetik.
Kujtojmë se Prokuroria turke ka mbyllur ne prill të këtij viti dosjen hetimore në ngarkim të bosit të kompanisë së kriptomonedhave “Thodex” Faruk Fatih Ozer duke e çuar atë në gjykatë.