Arsen Muskurti, autori i vrasjes së dyfishtë në Tiranë do të dalë sot në orën 10:00 para Gjykatës Penale për tu njohur me masën e sigurisë.
Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Vrasje në rrethana familjare të 2 personave”. Gjyqtari i seancës do të jetë Artan Gjermeni.
Ngjarja
Arsen (Hamza) Muskurti vrau më 30 gusht vëllanë e tij, Dritan (Alban) Muskurti e bashkëshorten e këtij të fundit, Nora Muskurti. Krimi i dyfishtë në Tiranë e ka zanafillën tek një agjenci udhëtimesh. Në janar të këtij viti, me vendim gjykate, agjencia e udhëtimeve që dërgonte njerëz në vende të lindjes u kalua në emër të personit që mbeti i vrarë Dritan (Alban) Muskurti. Por, për Arsen (Hamza) Muskurtin, kjo gjë ishte e papranueshme. Dyshja konfliktoheshin çdo ditë, madje në Policinë e Tiranë ka dhe denoncime nga vëllezërit kundër njëri-tjetrit.
Arsen Muskurti shkoi në lokalin ku i vëllai po konsumonte diçka me të shoqen, Nora Muskurti. Pas debatit verbal, sherri kaloi në konfrontim fizik. Dy vëllezërit u ngritën nga lokali dhe shkuan në agjencinë për të cilën dhe ishin në konflikt. Pikërisht brenda atyre ambienteve, Arsen Muskurti vrau të vëllanë e gruan e tij. Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së biznesit që monitorohej brenda dhe jashtë. Pas krimit, autori është larguar nga vendngjarja për tu arrestuar më vonë nga forcat RENEA.