Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e ka quajtur sot Gledis Nanon, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë të shkarkuar nga qeveria, “kokën e turkut të radhës”.
Në një deklaratë nga selia e Partisë së Lirisë, Meta u shpreh se Nano u promovua 10 muaj më parë me shumë entuziazëm, ndërsa u shkarkua në një moment ku duhet të merrnin përgjegjësi funksionarë të tjerë.
“Sot u njoftuam me vendimin e qeverisë për të shkarkuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, një vendim i çuditshëm por dhe tashmë i zakonshëm, pasi në një kohë kur priteshin përgjegjësitë në nivelet më të larta politike për dështimin e rëndë të rendit publik të sigurisë në tërësi të përkeqësimit të treguesve në luftën kundër krimit dhe gjithë trafiqeve, thjesht është e qartë që u bë dhe një kokë turku e radhës, i cili vetëm 10 muaj më parë u promovua me shumë entuziazëm dhe vlerësime si një prurje e re cilësore dhe shpresëdhënëse për drejtimin ligjor dhe qytetar të policisë së shtetit”, tha Meta.