Segmenti i qiradhënies së jahteve po reflekton tendencën e përgjithshme të klientëve në çdo sektor të ekonomisë, shpenzimin e kujdesshëm. Tani, edhe “të pasurit” po bëhen kursimtarë. Pavarësisht se kemi të bëjmë me individë me të ardhura relativisht të larta dhe akses në tregje ekskluzive e luksoze, kujdesi në shpenzime vihet re edhe te ky grup. Operatorët e tregut pohojnë se kostot e karburantit në disa raste shkojnë sa dyfishi i qirasë së mjetit, duke i bërë klientët më hezitues. Xhirot ditore mbeten më të preferuara që në 90% të rasteve konfirmohen në minutën e fundit. Këto rezervime dominohen nga familjarë e grupe shoqërore e më pak nga çiftet. Destinacioni i parapëlqyer mbetet Karaburuni në veçanti dhe Jugu në përgjithësi.
Ideja se ata që kanë para nuk janë shumë të ndjeshëm ndaj krizave apo çmimeve të rritura nuk është edhe aq e vërtetë. Në fund të ditës, edhe ky grup është konsumator si të gjithë, madje disa nga tregjet ku ai kërkon të mira apo shërbime janë tërësisht ekskluzivë dhe mungon konsumatori me të ardhura modeste, apo afër mesatares.
Një i tillë është ai i blerjes së jahteve, apo marrjes me qira të tyre, diçka që edhe pse në volume të ulëta, është e pranishme edhe në vend. Operatorët e tregut raportojnë se rritja e çmimeve është reflektuar me ulje të shpenzimeve të luksit për individët me të ardhura mbi mesataren, apo të larta.
Kjo nuk do të thotë se kanë hequr dorë tërësisht nga ky lloj argëtimi, por vihet re mbizotërimi i xhirove ditore, ndërkohë që rezervimet janë kryesisht të minutës së fundit.
Në tërësi, tregu raportohet të ketë ecuri pozitive, pavarësisht tendencave të shfaqura si efekt i rritjes së kostove. Kjo lidhet me faktin se kërkesa ka qenë e shtrirë gjatë gjithë viti, nga janari e deri më tani. Me shumë gjasa, tendenca do të vijojë deri në fillim të vjeshtës. Por cilat janë zhvillimet kryesore në këtë treg të përqendruar në sezonin veror 2022?
Shpenzimi për karburant zë vendin kryesor, gati dyfishi i qirasë së mjetit
Operatorët raportojnë se rritja e çmimit të naftës ka rritur dukshëm zërin që një pushuesi i duhet të planifikojë për qiramarrjen e një jahti. Në totalin e buxhetit të shpenzimeve, ajo zinte vend të rëndësishëm, por jo në nivelet aktuale, gjë që ka bërë që shpesh të interesuarit për të marrë me qira një mjet lundrues të bëhen hezitues.
Smerald Bozaxhi, administrator i “Albania Yacht Charter”, pohon se në disa raste, shpenzimi për karburant mund të zërë dyfishin e kostos që paguhet për mjetin.
“Mendimi i parë që të vjen ndër mend është se kjo kategori klientësh është mospërfillëse ndaj rritjes së çmimit të karburantit, për shkak të mundësive financiare që kanë, por në fakt nuk është kështu.
Pavarësisht mundësive financiare, askush nuk do të paguajë më shumë për një produkt, sidomos karburanti, duke qenë se është një produkt plotësues. Rritja e çmimit të karburantit e ka bërë disi më hezitues edhe këtë segment, sepse ka raste që gjatë përllogaritjeve tona për itinerare të ndryshme, ndodh që karburanti të kushtojë sa dyfishi i çmimit të jahtit”, – nënvizon ai.
Të njëjtën tendencë thotë edhe Elvira Kiço, administratore e “Albamar YachtCharter”.
Sipas saj, shërbimet e mirëmbajtjes nautike dhe çmimi i karburantit është pothuajse dyfishuar.
“Rritja e karburantit ndikon drejtpërdrejt te sektori ynë, duke marrë parasysh faktin që në prenotime ditore, ne e ofrojmë çmimin final, së bashku me karburantin e përfshirë”, shprehet Kiço.
Destinacioni më i pëlqyer, Karaburuni, çmimi varet nga mjeti që zgjedh
Gadishulli i Karaburunit mbetet i pëlqyeri nga turistët që duan të marrin me qira një jaht. Sipas operatorëve, kjo lidhet me faktin që ka plazhe të paprekur, në të cilat mund të shkohet vetëm përmes detit.
Jugu në tërësi është interesant për ata që zgjedhin këtë lloj pushimi dhe destinacionet e tjera përfshijnë zonën e Drimadhes, Himarën dhe Sarandën.
“Destinacionet kryesore që parapëlqehen janë plazhet dhe brigjet e Jugut të Shqipërisë. I pari, Gadishulli i Karaburunit, për shkak të plazheve të paprekura, të cilat janë të arritshme vetëm me mjete lundruese. Himara dhe Saranda janë po ashtu shumë të kërkuara. Saranda, për shkak të afërsisë me Korfuzin, është një faktor më shumë për këtë interes të lartë”, – pohon z. Bozaxhiu. Lidhur me kostot, ai nënvizon se kjo varet nga mjeti që zgjidhet.
“Këtë sezon kemi afërsisht 28 mjete, duke përfshirë edhe ato që bashkëpunojmë në Greqi dhe Mal të Zi, por që jepen me qira në Shqipëri. Çmimet variojnë nga kategoria dhe madhësia e mjetit lundrues, por për një motoryacht, 17-20 metra, me 3-4 kabina, çmimi mesatar është 2000-2500 euro/dita, ndërsa çmimi mesatar i një veliere, me 2-3 kabina e përshtatshme, për maksimumi 6 persona, është 400-500 euro/dita”, thotë ai.
Edhe znj. Kiço pohon se këtë vit, kompania është munduar të mbajë të njëjtat çmime si vitet e shkuara, duke amortizuar e vetme këtë pjesë për të mos ndikuar te segmenti i turistëve që zgjedh këtë lloj turizmi.
“Pavarësisht kostove të larta këtë vit, ne kemi qëndruar brenda të njëjtit çmim si vitet e kaluara, duke u munduar të mos rëndojmë më tepër gjendjen psiko-emocionale dhe ekonomike të klientëve. Kjo edhe me shpresën se vitin e ardhshëm, ndoshta situata do të stabilizohet dhe kostot do të jenë në normë dhe të pranueshme”, thekson ajo./Monitor.al/