Stafi i Xhamisë Et’hem beu ka reaguar në lidhje me lajmin që ka qarkulluar sot në rrjet se, ata që duan të hyjnë në xhami duhet të paguajnë një taksë prej 1 euro. Përmes një postimi në Facebook, institucioni sqaron se kjo tarifë nuk është për besimtarët që shkojnë dhe falen, por për turistët që hyjnë në xhami përmes guidave turistikë për ta vizituar atë
“Në rrjetet sociale dhe në disa media po qarkullon kjo biletë, e lëshuar nga Myftinia Tiranë, përkatësisht stafi drejtues i Xhamisë Et’hem Beu. 1-Besimtarët dhe gjithë qytetarët shqiptarë, që duan të vizitojnë Xhaminë Et’hem Beu mund ta vizitojnë atë lirisht, të kryejnë adhurime dhe të sodisin bukuritë e saj të rralla siç kanë bërë për shekuj.
2-Bileta në fjalë është një iniciativë e myftinisë në koordinim me operatorët turistikë, që zhvillojnë guida me turistët e huaj në kryeqytetin tonë. Ajo nuk është detyrim dhe nuk pengon vizitën në xhami. Asnjë turist nuk detyrohet ta paguajë atë, është thjesht kontribut vulnetar, gjë e cila është mirëpritur nga çdokush.
3-Duke qenë se kjo është një praktikë e njohur botërisht, Myftinia Tiranë ndërmori këtë nismë për të shërbyer si ndihmë modeste për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Xhamisë të saporestauruar të Ethem Beut. Ndërkohë nisma në fjalë s’ka të bëjë aspak me besimtarët, që vinë të falen në xhami. Xhamia Et’hem Beu ka qenë gjithmonë dhe është e hapur pa pagesë për të gjithë besimtarët dhe qytetarët”, thuhet në njoftim, ndërsa kërkohet që lajme të tilla të mos keqinterpretohen tek besimtarët.