Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka përcjellë një mesazh në rrjetet sociale në 31-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës. Teksa ka postuar një foto me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Meta shkruan se bota sot gjen frymëzim te rezistenca patriotike e qytetarëve të Ukrainës, në luftën e tyre të drejtë ndaj agresionit ushtarak rus.
Statusi i Metës
Në këtë 31-vjetor të Pavarësisë, bota gjen frymëzim tek rezistenca patriotike e qytetarëve të Ukrainës, në luftën e tyre të drejtë ndaj agresionit ushtarak rus.
Lufta, dhuna, veprimet armiqësore, nuk mund të pranohen si normalitet i marrëdhënieve mes shteteve sovrane në kohët që jetojmë.
Ukraina e lirë dhe pavarur është gjithashtu me rëndësi kyçe për paqen, sigurinë, prosperitetin ekonomik të Europës dhe të botës.
Të bashkuar në solidaritet, ne qëndrojmë të rreshtuar me aleatët perëndimorë, në mbështetje të popullit ukrainas, drejtuesve dhe institucioneve legjitime të saj, deri në garantimin tërësor të lirisë e paqes për Ukrainën dhe mbarë botën.
Vlerat europiane do të triumfojnë në Ukrainën e pavarur!