Kryetari i Partisë Demokratike nga Dibra ku po zhvillon një takim me demokratët ka bërë dhe njëherë thirrje për protesta që sipas tij do të rrëzojnë qeverinë e Edi Ramës.
Gjatë fjalës së tij kreu i demokratëve u shpreh se pushteti i Edi Ramës është i paligjshëm pasi njësoj si në kohën e diktaturës është përdorur shteti për të fituar zgjedhjet.
“Pushteti i tij është i paligjshëm, pushteti ka ardhur nga patronazhistët dhe shteti elektoral si në kohën e diktaturës. Rama përdori të gjithë shtetin për zgjedhje. Ishte fatale që opozita, jo se humbi zgjedhjet, por se të nesërmen nuk doli në shesh për ti treguar vendin atij. Ajo fitore duhet ti dalë për hundësh atij. Ne mbrojmë kauza të drejta, por nuk mund të shkelmohemi në këtë mënyrë. Ka një rëndësi të madhe që të ulemi, të dialogojmë. Secili prej nesh që mbështet këtë kauzë, të ulet më komunitetin dhe më këdo dhe të dalim nga plogështia. Të heqim dorë nga ajo “ç’më duhet mua”. Kjo periudhë duhet të bëjmë gjithçka. Duhet të gjejmë gjuhën me ta dhe ti tërhiqemi në kauzën tonë mbarë qytetarëve. Ju garantoj që ne kemi zgjidhje dhe zgjidhje të shkëlqyera”.