Nënkryetari i Partisë Demokratike Luçiano Boçi ka reaguar në lidhje me incidentin e fundit në Gramsh, ku dy shtetas rusë dhe një polak sulmuan dy ushtarët shqiptarë në Uzinën Mekanike Gramsh.
Lidhue me këtë ngjarje Boçi ka shpërndarë videon kur në fillim të konfliktit që Rusia nisi në Ukrainë, kryetari i PD-së Sali Berisha i kërkoi qeverisë që të anulonte vizat për qytetarët rusë të cilët mund të vinin në Shqipëri.
Sipas Boçit, Rama e refuzoi këtë kërkesë edhe të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke hapur çdo pikë hyrëse për shtetasit rusë. “E kujt është përgjegjësia në këtë rast?”, shkruan Boçi në Facebook.
“Sali Berisha kërkoi anulimin e vizave për rusët. Kur në sallën e Parlamentit shqiptar foli në një lidhje me skype, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kishte vetëm një kërkesë për Edi Ramën: Refuzimin që shtetasit rus të hynin në territorin shqiptar!
Në dalje të asaj seance të jashtëzakonshme, Sali Berisha i kërkoi në emër të PD, qeverisë shqiptare dhe Edi Ramës të mos lejonte turistët rusë të hynin në Shqipëri, në kushtet kur lufta me Ukrainën vazhdon.
Edi Rama e refuzoi kërkesën, duke hapur çdo pikë hyrëse për shtetasit rusë. Institucionet që kanë për detyrë të garantojnë sigurinë kombëtare në vend, kur gjatë kësaj vere kanë hyrë në Shqipëri mijëra shtetas rusë, janë në alert të plotë!
E kujt është përgjegjësia në këtë rast? Rama është rrezik për Shqipërinë!”