2-vjeçari që ndërroi jetë ditën e sotme në Fier ka qenë duke luajtur me bombolën e oksigjenit. Banorë të zonës tregojnë për mediat se vogëlushi po lozte me hekurishtet që familja e tij kishte mbledhur për skrap. Mes tyre ishte dhe bombola e oksigjenit. Në sy të të atit, i vogli me inicialet F.R., ka vijuar lojën dhe në një moment bombola i ka rënë në kokë.
“Nuk ishte në gjendje të mirë ishte shumë keq kur po e çonim në spital. Sa ikëm ne deri në kat të dytë ai mbaroi. Po lozte tek shtëpia e tij kur i ra bombola. Mua më thanë që bombola I ka rënë në kokë kur po luante në oborr,”- tha një nga banorët.
Nga ana tjetër, një tjetër banor është shprehur se fëmija ka qenë duke luajtur me bombolën e gazit që i ra në kokë dhe më pas rrugës për në spital ka ndërruar jetë.
“Ka qenë duke luajtur dhe bombola e gazit i ra në kokë. Ndërroi jetë rrugës për në spital”.
Fëmija është transportuar drejt spitalit të Fierit por s’ka mundur të mbijetojë nga plagët e marra.