Bizneset prodhuese do të vijojnë rritjen e çmimeve të produkteve, pasi nuk kanë mundësi financiare të përballojnë shtrenjtimin e kostove të lëndëve të para, energjisë dhe karburantit. Sipërmarrje të tjera, të cilat kryesisht kanë pak vite aktivitet, për të ruajtur konsumin, po e amortizojnë shtimin e kostos tek ulja marzhit të fitimit. Për të mbijetuar, kompanitë kërkojnë ndihmë nga shteti nëpërmjet subvencioneve. Në të gjithë sektorët problematika e fuqisë punëtore shfaqet e mprehtë, për shkak të emigrimit. Zgjidhja e vetme janë punësimet nga Azia dhe rajoni, ose mbajtja në punë e pensionistëve.
Dorina Azo
Kosta Bezhani, administratori i kompanisë së pijeve freskuese “Fresh Company”, që prodhohen prej vitit 1992 në fshatin Dropull të Gjirokastrës, thotë se shtimi i kostos prodhuese 25% më shumë se vjet për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para, ka detyruar të shtrenjtojë 25% edhe çmimet e produkteve për konsumatorin.
- Bezhani pohon se mungesa e subvencioneve shtetërore po sjell shqetësime te shumë sipërmarrës që e kanë të pamundur të mbijetojnë.
“Janë një sërë faktorësh që nëse nuk zgjidhen, pritet të reflektojnë shumë shpejt pasoja te bizneset. Që të jesh i konkurrueshëm në treg, duhet të ulen kostot. Edhe më parë, ne kemi punuar me fitim minimal. Me rritjen e çmimeve të lëndëve të para, jemi të detyruar sërish të prekim marzhin e fitimit, pavarësisht se kemi rritur çmimit.
Por në këtë situatë, na penalizon edhe shumë konsumi, që është tkurrur ndjeshëm për shkak të emigrimit të popullatës. Shteti duhet të ndërhyjë, në këtë situatë të bëhet partner me sipërmarrësit.
Të paktën gazi në prodhim të mos ketë akcizë, po ashtu të ndërhyhet edhe te çmimi i energjisë. Aktualisht, për çmimin e energjisë po paguajnë 34 lekë/kwh nga 9 lekë/kwh që paguanim më parë. Duhen të zbatohen subvencionime, ashtu siç kanë bërë edhe shtetet e tjera, sepse e kemi të pamundur të rezistojmë”.
Aktualisht në “Fresh company” janë 55 të punësuar. Administratori Kosto Bezhani pohon me shqetësim se në këtë zonë, të rinjtë kanë emigruar dhe për këtë arsye, është i detyruar të punësojë pensionistë.
“Nëse të rinjtë do të vazhdojnë të largohen, pas 5 vitesh Shqipëria do të jetë vetëm një toponim gjeografik. Mungesa e fuqisë punëtore është tejet shqetësuese. Nuk po gjejmë as punonjës të huaj. Po mbajmë në punë pensionistë”, thekson ai.
Sipërmarrjet e sektorit prodhues në tërësi po vuajnë rritjen e kostove nga shtrenjtimi i çmimeve të lëndëve të para. Për të përballuar shtimin e kostos prodhuese, shumë prej tyre kanë rritur çmimet për produktet e shitjes, madje në disa sektorë, shtrenjtimi ka qenë i herëpashershëm.
Amortizimi i kostove tek ulja e marzheve të fitimit, po zbatohet më tepër nga kompanitë e reja, të cilat kërkojnë të fitojnë terren në treg, ose në bizneset në rrethe.
Për ndërmarrjet mbetet shqetësuese edhe mungesa e fuqisë punëtore, si rezultat i emigrimit të popullatës. Bizneset pohojnë se kanë aplikuar rritje të pagave, duke shtuar kostot financiare, por vijojnë të mos e plotësojnë boshllëkun e krijuar, as me punonjësit nga Azia apo rajoni.
Industria e qumështit do të vijojë rritjen e çmimeve
Prej një viti, kompanitë përpunuese të qumështit vijojnë të ngrenë shqetësimin e rritjes së çmimit të qumështit, për shkak të shtrenjtimit të kostove të fermerëve në mbajtjen e bagëtive.
Për sektorin është problematike edhe mungesa e subvencioneve për litër qumësht, kur aktualisht është duke u zbatuar skema kombëtare e subvencionimit për krerë bagëtie. Heqja e TVSH-së së kreditueshme nga 6% vjet ndikoi edhe më tepër te rritjet e kostove përpunuese.
Për këtë arsye, kompanitë e përpunimit të qumështit këtë vit kanë qenë të detyruara të aplikojnë 2 deri në 3 herë rritje të çmimeve të produkteve të bulmetit. Nga 1 korriku, me paketën e re fiskale të vitit 2022 nisi zbatimin edhe akciza e re për gazin. Do të shtohet 6 lekë/litër taksë që do të përballohet nga industria.
Pritet të ketë sërish rritje të çmimeve të bulmetit në vend. Kompanitë përpunuese janë në vështirësi për gjetjen e qumështit në vend, pasi prodhimi është ulur. Mungesa e qumështit është krijuar nga shtrenjtimi i lëndëve ushqyese për kafshët.
Në vitin 2021, sipas INSTAT, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar rezulton rreth 115 mijë tonë. Sipas llojit, sasia e grumbulluar e qumështit të lopës është rreth 94 mijë tonë, sasia e grumbulluar e qumështit të deles, 13 mijë tonë dhe sasia e grumbulluar e qumështit të dhisë, rreth 8 mijë tonë.
Krahasuar me vitin 2020, sasia e grumbulluar e qumështit të lopës paraqitet me rënie 7,4%, ndërsa sasia e grumbulluar e qumështit të deles dhe dhisë paraqitet me rritje, përkatësisht me 26,3% dhe 8%.
Taulant Pupa, administrator i kompanisë “Vita”, u shpreh për “Monitor” se ë֝shtë rritur përsëri çmimi i qumështit që blihet nga fermerët. Çmimi i qumështit do të ndikohet nga rritja e kostos së përpunimit të ushqimit të kafshëve, duke përfshirë edhe çmimin e rritur të naftës.
Përpunuesit e mishit dhe ambalazhuesit e ujit ulin marzhet e fitimit
Kompani të tjera prodhuese, pavarësisht shtimit të kostove nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, janë detyruar ta amortizojnë te reduktimi i marzheve të fitimit, me qëllim ruajtjen e konsumit.
Thanas Apostoli, drejtori i shitjeve te kompania përpunuese e mishit “FIX” tha për “Monitor” se nga vala e rritjes së çmimit të energjisë, karburantit, ambalazhimit dhe rritjes së pagave të punonjësve është prekur marzhi i fitimit të kompanisë.
“Çmimet e lëndëve të para në këtë periudhë janë stabilizuar, por sërish mbeten shumë të larta. Në raport me vjet, rritja minimale e çmimeve të lëndës së kostos varion nga 10 deri në 30%. Me këto nivele, kostot e prodhimit janë të larta.
Rritja e çmimeve për konsumatorin nuk ka qenë aq e shpeshtë sa është rritja e çmimeve të lëndëve të para. Kostoja është amortizuar te fitimet. Çmimet për konsumatorin janë rritur vetëm një herë në nivelin e 7,5%”, nënvizoi ai.
Drejtori i përgjithshëm i ujit “Selita”, Julian Beqiri, thotë se kompania nuk ka rritur çmimet dhe kostot e shtuara janë amortizuar te fitimet. Ai thotë se kostot e prodhimit janë rritur 50%, për shkak të dyfishimit të çmimit të energjisë, ambalazhit të plastikës dhe qelqit.
Çmimet e lëndëve të para kanë shënuar të gjitha rritje, pasi janë të gjitha nënprodukte të naftës, çmimi i së cilës është shtrenjtuar prej muajsh në bursat e huaja. Edhe çmimi i energjisë është dyfishuar. Rritje 50 deri në 60% kanë shënuar edhe shishet plastike (PET), tapat dhe etiketat e shisheve.
Blerja me çmim më të lartë e lëndëve të para se vjet ka shtrenjtuar në total kostot e prodhimit 50%. Çmimet e ujit për konsumatorin kanë mbetur të pandryshuara dhe shtimi i kostove është amortizuar te marzhi i fitimit”, nënvizon ai. Fabrika e re e kompanisë “Blu Imperial” që prodhon ujin “Selita”, u përurua vjet në muajin maj, pas investimit 3-vjeçar në Shqipëri.
Kompania “Blue Imperial” u ble në vitin 2018 nga grupi “Kastrati” në vlerën e 20 mln dollarëve, duke synuar rritjen e shitjeve deri në 70% të ujit të prodhuar në muajt e verës në tregun e brendshëm dhe zgjerimin e eksportit me vendet arabe.
Ulen kostot për prodhuesit e vezëve, por humbasin konkurrueshmërinë
Prodhimi i vezëve vijoi trendin rritës në vitin 2021. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021 u prodhuan 9% më shumë se në 2020-n.
Për këtë vit, operatorët ngrenë shqetësimin e rënies së prodhimit të vezëve, për shkak të mospërballimit të kostove për ushqimin e pulave. Për prodhuesit shqetësim është edhe konkurrueshmëria e importeve nga Serbia.
Drejtori i shitjeve të kompanisë të vezëve “Ovvital” z. Lilo Seraj, tha se aktualisht, çmimi me shumicë i vezës nga fermat blegtorale ka shënuar rënie nga 18 lekë në 17 lekë për kokërr. Para valës së rritjes së drithërave, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, çmimi i vezës me shumicë ishte 13 lekë për kokërr.
“Lëndët e para vazhdojnë të jenë të shtrenjta në tregjet e huaja. Për momentin, shumë ferma blegtorale po blejnë grurin dhe misrin vendas që është korrur këtë muaj dhe çmimi është pak më i lirë se në bursat e huaja. Furnizimi në tregun e brendshëm ka krijuar hapësirë për uljen e kostos prodhuese 10-15%.
Çmimi i vezës me shumicë ka shënuar rënie, momentalisht tregtohet me çmimin mesatar prej 17 leksh për kokërr. Tek ulja e çmimit ka ndikuar edhe importi i vezës së kategorisë A nga Serbia, pasi çmimi është shumë herë më i lirë, kjo si pasojë e sistemit të taksave që kanë për lëndët e para më blegtori.
Ne taksohemi 20% për lëndët e para, kurse në Serbi, taksa është 6%. Po ashtu, Serbia është një nga prodhuesit më të mëdhenj të grurit dhe misrit në rajon. Ne taksohemi 20% për lëndët e para, kurse në Serbi taksa është 6%. Konsumi në përgjithësi i të gjithë artikujve ka shënuar rënie dhe ndikimi nga turizmi nuk është ai që pritej”, theksoi ai.
Rritja e çmimit të vezëve ka qenë e herëpashershme në treg, për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para. Operatorët kryesorë të tregut të prodhimit të vezëve pohuan se çmimi i shitjes me pakicë nga fermat për shkak të shtrenjtimit të lëndëve ushqimore, në mars 2021 arriti 13 lekë për kokërr, nga 9-11 lekë për kokërr para pandemisë.
Lënda e parë e prodhimit të vezës dhe mishit të pulës zë 85% të kostove të tyre (35% e zë lënda e sojës, çmimi i së cilës është dyfishuar.) Në mesin e muajit mars, veza me shumicë nga fermat u shit me 18 lekë, nga 15 lekë për kokërr që ishte më parë, ndërsa në dyqanet e produkteve ushqimore çmimi i vezës u rrit 10,5% më shumë krahasuar me fillimin e vitit (nga 19 lekë arriti në 21 lekë për kokërr).
Drejtori i shitjeve te “Ovvital”, z. Lilo Seraj, theksoi se rritja e çmimeve u ndikua nga shtrenjtimi me 54% i bazës ushqimore për pulat dhe dyfishimi i çmimit të energjisë. “Çmimet e lëndëve të para janë rritur me 54%. Çmimi i misrit nga 37 lekë/kg ka shkuar 58 lekë/kg.
Soja nga 95 lekë/kg, ka shkuar 125 lekë/kg. Vaji i sojës (pjesë e bazës ushqimore për pulat) ishte 150 lekë/litër, kurse tani 300 lekë/litër. Çmimet janë rritur edhe për shumë produkte të tjera që kanë lidhje me bazën ushqimore. Energjia për biznesin e madh u rrit. Fatura e muajit janar është dyfish më e lartë se në janar 2021. Nafta që ka lidhje me pjesën e shpërndarjes u rrit me 20-25%”, pohoi z. Seraj.
Në fund të muajit mars, çmimi i shitjes së vezës nga dyqanet e pakicës arriti në 24 lekë për kokërr. Arsyeja e shtrenjtimit të vezëve ishte mungesa e 50% të prodhimit ditor për shkak të ngordhjes të pulave nga influenca aviare.
Baret dhe restorantet, pritet sërish rritje e çmimeve
Rritje çmimesh këtë vit është shënuar edhe te baret dhe restorantet. Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj, tha për “Monitor” se rritja e çmimeve është ndikuar nga pamundësia financiare e këtyre strukturave për të përballuar çmimet e shtrenjtuara të furnizimeve me produkte ushqimore dhe pije.
“Bizneset e bareve dhe restoranteve po arrijnë të përshtaten me situatën e rritjes së kostove nga shtrenjtimi i çmimeve të lëndëve të para. Shumë prej tyre janë detyruar të shtrenjtojnë çmimet, pasi nuk arrijnë ta përballojnë rritjen e kostove.
Ndërsa nuk vihet re tendenca abuzive e uljes së sasisë në pjata. Parashikohet të ketë rritje të vazhdueshme të çmimeve, pasi i gjithë sektori i shërbimit po shkon drejt kolapsit. Ka më pak klientë në bare, kafene dhe restorante.
Këtë vit, gjithashtu ka edhe më pak turistë se vjet. Situata është e ngjashme edhe në vendet e Europës, nuk është e pranishme vetëm në Shqipëri.
Të gjitha këto janë efektet e krizës së rritjes së çmimeve që nisi që me pandeminë dhe vijoi edhe pas luftës Ukrainë-Rusi”, shton ndër të tjera z. Jahaj. Nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve më herët u pohua se mosndryshimi i çmimeve do ishte i përkohshëm, pasi dhe bizneset nuk do të kenë më mundësi të mbajnë koston e rritjes të çmimeve.
Për vitin 2021, baret dhe restorantet vijuan të kenë një vit negativ. Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT, në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5,2%. Në vend ka gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës.
Mungesa e fuqisë punëtore, kompanitë rrisin pagat
Rritja e pagave duket sikur është “Asi” i fundit që kompanitë po përdorin për të mbajtur në punë punonjësit, pasi shumica e tyre synojnë emigrimin. Taulant Pupa, përfaqësuesi i kompanisë “Vita”, thotë se për të mbajtur punonjësit në punë ka zbatuar politikën e rritjes së pagave, por shqetësuese mbetet emigrimi i fermerëve, për të cilët shteti duhet të marrë masa zbutëse.
“Të gjithë fermerët janë të moshës mbi 55 vjeç. Të rinjtë janë larguar, nuk punon njeri në blegtori dhe bujqësi”. Edhe drejtori i shitjeve të kompanisë “FIX”, Thanas Apostoli, pohon se punonjësit janë nxitur me rritje të pagave, që të mos largohen në emigracion.
Nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve theksohet se tashmë, përveç rritjes së pagave po shihet si zgjidhje, gjetja e punëtorëve nga vendet e rajonit.
“Mungesa e fuqisë punëtore është problemi më madhor që ka aktualisht sektori i shërbimeve në bare dhe restorante. Nuk pritet që kjo krizë të gjejë ndonjëherë zgjidhje, pasi edhe zbatimi i politikës për të sjellë punonjës nga jashtë rezultoi se u përdor nga ta si trampolinë për të emigruar drejt Europës apo vendeve të tjera.
Shumica e tyre vijnë me dy pasaporta dhe largohen pas një jave, pavarësisht se bizneset kanë investuar për ardhjen e tyre, që nga kontratat e punës dhe taksat që paguan. Shteti shqiptar nuk ndërhyn në zgjidhjen e këtyre problematikave, që sërish i ngelet sektorit privat t’i zgjidhë.
Momentalisht për të punuar në baret dhe restorantet e bregdetit, ku fluksi është më i lartë se në Tiranë bizneset kanë punësuar punonjës nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Parashikohet që kjo do të jetë zgjidhja e vetme për të funksionuar tregu i punës, derisa edhe shqiptarët ta kuptojnë se si të punosh në Gjermani apo në Shqipëri në fund të muajit pa lekë do të mbeten. Është vetëm çështje standardesh dhe vlerash”, thotë Enri Jahaj./MONITOR