Në një konferencë për mediat, ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar sot qeverinë për projektin e dhënies së shtetësisë shqiptare me koncension, e quajtur ndryshe dhe “pasaporta e artë”. Berisha u shpreh se kjo nismë është një kanal i zi për të larë narko eurot e trafikantëve të pashpirt të rajonit, Evropës e botës në Shqipëri.
“Jam sot për të deklaruar në emër të PD, se pasaporta e artë e Edi Ramës është thjesht një thirrje: “narkotrafikant dhe kriminel të të gjithë rajonit, Evropës dhe botës bashkohuni në Shqipëri”. PD deklaron se pas nisjes për legalizimin e kanabisit, ligjin për amnistinë fiskale, legalizimin e parave të krimit që hyjnë nga jashtë, pasaporta e artë është mekanizmi i tretë e i fundit i trinomit të shndërrimit të Shqipërisë në parajsën tokësore të drogës trafiqeve dhe krimit rajonal evropian dhe botëror. Pasaporta e artë, në vendet ku shteti ligjor funksionon është një mundësi e përdorur nga ato qeveri dhe vende për të thithur investimet e huaja. Kurse pasaporta e artë në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, Shqipëri, është kanal i zi për të larë narkoeurot e trafikantëve të pashpirt të rajonit, Evropës e botës në Shqipëri, një kanal i zi për paranë toksike të bosëve të drogës dhe krimit, para e cila me kullat monumente nacionaliste korruptive si i ka quajtur shtypi ndërkombëtar në Tiranë po shkatërron pamjen, urbanistikën trafikun e mjedisin e saj” – tha Berisha në një konferencë për mediat.