Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një bashkëbisedim me fermerët në Kashar mbi subvencionet, mungesën e tregut, largimin e krahut të punës dhe cilësinë e farërave.
Sipas Berishës, bujqësia edhe pse është një nga sektorët më kryesorë të ekonomisë sonë, është i papërfillur nga qeveria. Ai thekson se qeveria mban një qëndrim armiqësor ndaj bujqësisë dhe fermerëve.
“Ky sektor është në rrudhje, në rënie, në rrokullisje. Është jashtë çdo dyshimi sektori më i papërfillur nga qeveria, por mospërfillja është njëra anë, ndëshkimi është ana tjetër dhe ky është një nga sektorët më kryesor të ekonomisë tonë, që jep mbi 20% të PBB, që punëson mbi 50% të forcës punëtore të grave dhe 35% të burrave në vend. Sektor që në vend se të zhvillohet, të fuqizohet, të mbështetet ka një rënie të madhe me pasoja shumë të rënda për vendin. Bujqësia është sektori i cili në të gjitha produktet e saj meriton dhe ka të domosdoshëm subvencionin. Subvencioni në bujqësi nuk është një humbje financiare, por është një histori fitimi për të gjitha palët, është histori fitimi sepse ai që merr subvencionin ndihmohet për një sukses më të madh, më të garantuar, mëkëmbja e tij është një interes direkt jo vetëm i familjes por i shoqërisë në tërësi. Është në interes të mbarë shoqërisë sepse prodhimi, sepse eksporti janë faktorë jashtëzakonisht të rëndësishëm në krijimin e balancave për një ekonomi të qëndrueshme. Kjo qeveri mban një qëndrim armiqësor ndaj fermerëve dhe bujqësisë. Mund t’ju duket i ashpër ky term, por jo nuk është, sepse nëse ai në sistemin fiskal ndëshkon fermerët, ai sillet si ta si një pushtues, jo si institucion i ligjit, nuk respekton ligjin, nuk respekton ato parime që janë të domosdoshme për një shtet ligjor. Ndërprerja e subvencioneve është njëra anë, por kjo vendos fermerët shqiptarë në kushte të pabarabarta me fermerët e vendeve përreth, për të mos thënë me fermerët e BE. Taksimi i njëanshëm me TVSH përbën një ndëshkim tjetër madho për fermerët. Mungesa e stimulit për eksportet është një akt tjetër i papërgjegjshëm i kësaj qeverie”, tha Berisha.
Ai është ndalur edhe te nisma “Ballkani i Hapur”. Sipas tij, hapja e doganave në kuadër të kësaj nisme do të shënojë falimentimin e fermave të vendit.
“Hapja e doganave në kuadër të “Ballkanit të Hapur” do të shënojë masivisht falimentimin e fermave tona. Vetëm brenda një viti janë rritur me 250% importet e prodhimeve bujqësore nga Serbia. Në një kohë kur subvencionet aktuale dhe në dekada për fermerët e ish-Jugosllavisë kanë qenë qindra herë më të mëdha se ato thërrimet që mund të kenë marrë fermerët shqiptarë”, shtoi ai.