Nënkryetari i partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Elbasan, ku 33-vjeçari Madrid Ulqinaku u ekzekutua me armë zjarri nga 20-vjeçari, Klajdi Shaholli pas një konflikti për motive të dobëta.
Nëpërmjet një statusi në facebook, Boçi shkruan se vrasje të tilla burojnë nga banditizmi i shtetit që ka bërë që vrasjet të jenë të zakonshme në vendin tonë dhe duke shkaktuar dëshirën e qytetarëve për t’u larguar nga vendi.
Reagimi i Boçit:
VRASJA DUHET MUNDUR
Elbasani nuk gjen paqe!
Një i ri, familjar mes mijëra kalvaresh jete, ekzekutohet pa drojë e hezitim në mes të publikut të tmerruar.
Shqipëria nuk ka qetësi!
Vrasja është muzika që shoqëron jetët tona. Ajo ndodh e realizohet kudo dhe pushteti i vdekjes në vendin tonë është në çdo cep.
Jeta është gjëja më e pavlerë këtu.
E njerëzit prandaj ikin, largohen në përpjekje për të gjetur vlerën e saj.
Vrasje makabre në mes të autostradës, vrasje në mes të qytetit, vrasje në familje, vrasje në rrugë., vrasje në plazh. Vrasje në veri, vrasje në jug.
Vrasje…,kudo vrasje.
Shoqëria jonë ka humbur ekuilibrat socialë dhe psikologjikë.
E gjithçka vjen nga devijacioni i pushtetit politik, i vrasjes që i ka ndodhur në vite sigurisë, së ardhmes, edukimit, arsimimit, meritokracisë, vlerave.
E sado teori kriminalistike të ngrejmë zgjidhjet janë të thjeshta.
Banditizmi i vrasjeve buron nga banditizmi i shtetit, nga mungesa e tij kur bëhet fjalë për jetët e qytetarëve dhe nga dominimi i tij, kur bëhet fjalë për pasurimin e shtetarëve e oligarkëve.
Nga banditizmi qeverisës që mbyt çdo qelizë jetëdhënëse në shoqëri, që PADREJTËSINË e ka ngritur në kult, që GRABITJEN e ka shndërruar në meritë, që pasurohet mbi vdekjen, mbi vuajtjen dhe mjerimin e njerëzve të thjeshtë.
PRANDAJ është koha për përmbysje.
Është koha për të mundur vdekjen e vrasjen.
Është koha për të shembur regjimin!