Në meshën e së dielës në Vatikan, Ati i Shenjtë është lutur për viktimat që humbën jetën në sulmin me bombë në Turqi. Mes mijëra besimtarëve, Bergolio bëri thirrje për më shumë paqe.
Papa Françesku është lutur në meshën e së dielës për viktimat dhe të plagosurit e sulmit me bombë në Turqi, ku u vranë më shumë se 50 persona.
Përgjatë meshës, Papa iu drejtua besimtarëve që kishin mbushur sheshin e Shën Pjetrit me lutjen Angelus, duke kërkuar më shumë paqe.
“Kam marrë lajme shumë të trishta pas sulmit vrasës që goditi Turqinë tonë të dashur. Le të lutemi për ata që humbën jetën dhe ata që u plagosën, kërkoni dhuratën e paqes për të gjithë!”
Sulmi me bombë që tronditi qytetin e Gazientepit, në kufi me Sirinë, ndodhi gjatë një ceremonie dasme duke shkaktuar momente paniku dhe tmerri tek dasmorët.