Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka kujtuar sot 73-vjetorin e masakrës së Qafës së Valmirit në Mirditë. Në një postim në Facebook, Alibeaj shkruan se më 17 gusht të vitit 1949, komunistët iu vërsulën Mirditës duke pushkatuar 10 burra dhe 4 duke i varur në litar, ndërsa 12 të tjerë u dënuan me burgime të gjata.
Sipas Alibeajt, kjo do të shënonte vetëm fillimin e një persekutimi masiv të Mirditës nga regjimi komunist.
Postimi i Alibeajt:
Në 17 Gusht 1949, kriminelët komunistë iu vërsulën Mirditës, e ushtruar atje terrorin më të madh të diktaturës komuniste. Nga familjet më me emër të Mirditës, 10 burra u pushkatuan e 4 u varën në litar, 12 të tjerë u dënuan me burgime të gjata, 300 familje u internuan në kampin famëkeq të Tepelenës.
Për Mirditën, si vatër e katolicizmit dhe rezistencës aktive ndaj komunizmit, masakra e Qafës së Valmirit do të shënonte fillimin e një persekutimi masiv, pothuajse gjysmë-shekullor gjatë diktaturës. Ajo krahinë pësoi genocidin komunist më mizor në Shqipëri, faji i vetëm i së cilës ishte rezistenca ndaj diktaturës.
Kujtimi dhe respekti ndaj viktimave të asaj masakre, përkujtohet cdo 17 gusht nga familjarë dhe pasardhës të tyre. Si dëshmi e identitetit historik, ngadhnjimit mbi të keqen dhe përkushtimit për të nxjerrë të vërtetën, që eshtrat e viktimave të prehen në paqe, që shpirti i tyre të pushojë i qetë në parajsë e që të gjallët të mbajnë fort në zemër vlerat e lirisë dhe besimit në zot!
I paharruar kujtimi i tyre! Shpirti i tyre u prehtë në altar të parajsës!