Në foto-albumin e postuar së fundmi nga Arbana Osmani, e cila rikujtoi disa momente emocionuese të “Big Brother Vip”, e gjithë vëmendja është përqendruar në mungesën e Donald Veshajt dhe Beatrix Ramosajt.
Moderatorja reagoi në lidhje me lajmin se dy ish-banorët, Einxhel Shkira dhe Dj Dagz do të bëhen prindër për herë të parë. Pas këtij lajmi të bukur Arbana ka risjellë në vëmendje disa nga momentet e emocioneve më të mëdha në “BBV”. Në një foto-album në Instagram, moderatorja shkruan: “Lajmi i bukur i @einxhel_shkira dhe @dj_dagz më rikujtoi sot se çfarë emocionesh të mëdha e të vërteta ka sjelle ky Big Brother për të gjithë ne dhe që edhe pse kanë kaluar gati 6 muaj nga përfundimi, me historitë e bukura që vazhdojnë të emocionojnë edhe sot.”
Arbana ndau disa foto me disa nga ish-banorët mes të cilëve ishin, Einxhel Shkira, Dj Dagz, Dj Pm, Ilir Shaqiri, Fifi dhe Sabiani. Por megjithëse morën vëmendje të madhe gjatë formatit, Arbana nuk i përfshiu në foto-albumin e saj Beatrix Ramosajn dhe Donald Veshajn. Këto të fundit ishin në qendër të vëmendjes për muaj me radhë për shkak të historisë së dashurisë që nisën në BBV.
Lënia në hije e Donaldit dhe Beatrix nga ana e Arbanës, është vënë re edhe nga ndjekësit e saj, të cilët menjëherë kanë reaguar përmes komenteve.
Disa nga ndjekësit rikujtojnë momentet e ish-çiftit në format, për të treguar emocionet që ata dhuruan. Ndërsa në komente të tjera moderatorja pyetet pse nuk është përfshirë aktori i humorit në foto-album, duke shtuar se ajo ka publikuar ish-banorët me të cilët sipas tyre ajo ka raporte të mira.
Që kur Instagrami është bërë ndër programet më të përdorur në gjithë botën, çdo lëvizje që bëjnë njerëzit aty e sidomos figurat publike përkthehet në një shenjë rreth raporteve që ekzistojnë në realitet.
Konkretisht Donaldi nuk e ndjek Arbanën në Instagram. Ky gjest mori vëmendje të madhe pas finales së “Big Brother VIP” kur u përfol se Donaldi ishte përplasur me produksionin. Megjithatë, edhe pasi gjërat u sheshuan Donaldi ende nuk e ndjek moderatoren teksa ajo së fundmi ka bërë të njëjtin veprim ndaj tij.
Kanë kaluar disa muaj që kur Donaldi e fshiu nga lista e ndjekësve moderatoren, megjithatë ajo ka vendosur të kundërpërgjigjet duke e fshirë aktorin dhe vëllain e tij binjak nga rrjetet sociale.