Shqiptarët që jetojnë në Greqi, të cilët kishin zgjedhur pjesën e parë të gushtit po kthehen në vendet e punës. Kjo e martë shënoi nisjen e fluksit në dalje në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ku nuk pati raportime për radhë e pritje.
Në 24 orët e fundit nëpërmjet kësaj pike kufitare drejt vendit fqinj kanë dalë 5573 shtetas shqiptarë e të huaj. 3535 të tjerë kanë hyrë në vendin tonë. Për të përballuar fluksin në rritje tashmë në dalje, policia kufitare në Kapshticë punon me pesë sportele ndërsa në hyrje me tre të tillë.
Autoritetet tona kufitare, mësohet se i kanë kërkuar palës greke të shtojë numrin e sporteleve me qëllim shmangien e radhëve dhe pritjes në kufi.
Nga ana tjetër, sipas të dhënave zyrtare i lartë mbetet fluksi i lëvizjes edhe në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës në Kufi me Maqedoninë e Veriut. Në 24 orë kanë hyrë e kanë dalë më shumë se 7100 udhëtarë, shqiptarë dhe të huaj.