Policia e Shtetit, reagon për radhët e gjatë të pritjeve në pikat kufitare, si të Kakavijës dhe Kapshticës ku një numër i lartë emigrantësh po presin prej orësh për t’u futur në Shqipëri. Sipas uniformave blu, gjatë 24 orëve të fundit të paktën 90 mijë shtetas të huaj dhe shqiptarë janë futur brenda në vend.
Ndërkaq, fluksi i lartë i hyrjeve në Kakavijë dhe Kapshticë vijon të jetë tek mbi 23 mijë persona. Ndërsa ende raportohet për radhë të gjata pritjeje në temperaturat e larta, për shkak të vonesave nga pala greke në këtë pikë kufitare.
Më tej, blutë theksojnë se nga aeroportet kanë hyrë mbi 13 mijë persona.
“Masa të shtuara për përballimin e fluksit të lartë në hyrje, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, si dhe për parandalimin e aksidenteve rrugore.
Rreth 90 000 shtetas shqiptarë dhe të huaj, si dhe 23 400 automjete, kanë hyrë në vendin tonë, gjatë 24 orëve të fundit.
Në Kakavije dhe në Kapshticë vijon fluksi në hyrje. Deri tani kanë hyrë mbi 23 000 shtetas dhe 7 000 automjete.
Nga Policia Kufitare janë marrë masa për shtimin e sporteleve dhe krijimin e lehtësirave ligjore, me qëllim eleminimin e radhëve të gjata.
Po në këtë kuadër, drejtuesit e Policisë Kufitare kanë marrë kontakt me homologët e tyre në doganën greke, për të shtuar sportelet, me qëllim që lëvizja të jetë e njëtrajtshme.
Policia greke ka shtuar sportelet dhe aktualisht po punohet me sportele të shtuara, në të dyja pikat e kalimit kufitar, shqiptare dhe atë greke, në Kakavije dhe në Kapshticë. Fluks ka patur dhe në pikat e tjera të kalimit kufitar.
Në aeroportin “Nënë Tereza” dhe në aeroportin e Kukësit kanë hyrë rreth 13 500 shtetas shqiptarë dhe të huaj; në Portin e Vlorës dhe të Durrësit kanë hyrë rreth 12 500 shtetas dhe 2 400 mjete; në Muriqan, në Hanin e Hotit, në Morinë, Bllatë dhe në Qafë Thanë kanë hyrë rreth 41 000 shtetas dhe 14 000 automjete.
Në të gjitha pikat e kalimit kufitar janë shtuar sportelet dhe burimet njerëzore.
Gjatë 24 orëve të fundit kanë dalë nga vendi ynë rreth 70 000 shtetas shqiptarë dhe të huaj, si dhe rreth 21 000 automjete. Gjatë procedurave në dalje nuk janë krijuar radhë dhe nuk është evidentuar asnjë problem.”-njofton policia.