“Nëse policia nuk jep ende një vendim, do t’i rikthehemi vazhdimit të aktivitetit tonë”. Kështu u shpreh një prej pronarëve të mjeteve ujore në Durrës.
Lidhur me situatën, ai u shpreh se edhe pse ka dokumentacione të rregullta, biznesi i është pezulluar, duke i shkaktuar humbje të mëdha.
“Do përshkallëzojmë. Të na japin një vendim që të jetë i shkruar që të bazohemi diku, t’i drejtohemi gjykatës. Ose na lind e drejta për vazhdimin e ushtrimit të aktivitetit. Besoj që po. Nga të gjitha njoftimet në Shqipëri, pjesa e atyre që operojnë në turizëm, do vazhdojnë ushtrimin e biznesit, ata që janë konform ligjit. Kanë thënë që do dalin në det. Vetëm pjesa jonë po penalizohet dhe nuk po del në det.”
Nga ana tjetër, disa ditë më parë, pronarët e mjeteve ujore zhvilluan takim me drejtues të policisë së Shtetit, në lidhje me vendimin për ndalimin e aktivitetit të mjeteve lundruese në plazhet e vendit. Ata shpresojnë që situata të zgjidhet brenda disa ditëve, pasi ka një kosto për ta.
Ndalimi dhe kontrolli i mjeteve lundruese nga policia, vjen pas ngjarjes së rëndë të regjistruar në Himarë, ku humbi jetën një 7-vjeçare.