Fatos Çollaku nuk mund të mbijetonte, nuk mundi të shtynte dot më ditët në mjerim. I dha fund jetës aty te pema në oborrin e shtëpisë së tij, e mbetur pa dritë, pa shpresë.
Ngjarja ka tronditur këdo, e më së shumti bashkëfshatarët e tij në fshatin Rrajcë të Përrenjasit që me lot në sy tregojnë për Fatosin e mirë, të urtë që shikonte punën e tij.
“Fatosi ishte një djalë që nuk prishte qejf me askënd. Nuk ishte problematik shihte drejtimin e tij. Kush e merrte në punë shkonte punonte. Por e vuri përpara varfëria dhe arriti në një pikë që ndodhi kjo që ndodhë. Sot në varrim ka marrë pjesë i gjithë fshati. Ka një motër dhe ajo tashmë është e vetme. Asaj duhet ti lidhet një kemp nëse ky shtet funksionon normalisht“, shprehen banorët.
“Fatosi nuk kishte probleme të shëndetit mendor. Jemi rritur me të edhe e dimë se si ishte. Fatosi punonte në fshat, jo përditë por fshati e donte shumë. Sa i përket ndërprerjes së energjisë elektrike, nuk ka qenë stabël, herë i pritej e herë i lidhej. Ata kishin vetëm një dritë në banesë, asnjë elektroshtëpiake tjetër. Mbrëmë në darke në shtëpi nuk kishte drita“, shprehet një tjetër.
“Para 10 ditësh i hoqën ujin sepse nuk e kishte paguar. Kjo i shtoi stresin. Pavarësisht se uji u rilidh Fatosi u stresua shumë. Ndihma ekonomike që merrnin ishte 30 mijë lekë të vjetra. Bashkia duhet të bëjë përpjekje që të lidhet kemp për motrën e tij, por duhet gjetur një mënyrë që të ketë një dhomë e një tualet“, shprehet banori.