Paul Manafort, menaxheri i fushatës së kandidatit republikan për president të SHBA-ve, Donald Trump ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij drejtues. Vendimi është marë si pjesë e ndryshimeve të mëdha që janë bërë këtyre ditëve në ekipin e Donald Trump.
“Këtë mëngjes Paul Manafort ka ofruar dorëheqjen të cilën unë e pranova. E vlerësoj shumë punën e tij të madhe për të ardhur deri këtu ku jemi sot. Paul ishte një profesionist i vërtetë dhe i dëshiroj atij suksese të mëtejshme.”-është shprehur Trump për CNN.
Manafort u caktua në krye të fushatës të miliarderit njujorkez pas largimit që Trump i bëri Corey Leëandoëski, në muajin qershor.
Emri i Paul Manafort doli nga Zyra e Antikorrupsionit në Ukrainë, që në një raport të sajin thotë se ai është paguar në shumën e 12 milionë dollarëve nga ish-presidenti Viktor Yanukovych, i larguar në drejtim të Rusisë gjatë protestave të nëntorit të 2013.
Ky raport u sigurua nga “New York Times”, që më pas e publikoi atë. “New York Times” thotë se hetuesit ukrainas janë duke kërkuar në biznese dhe afera të dyshimta nga të cilat emri i Paul Manafort del se ka përfituar miliona dollarë.
Vetë Manafort mohoi akuzat. Ai nuk është një emër i panjohur në skenën politike amerikane. Më parë ai ka qenë këshilltar i Presidentit George Bush dhe senatorit Bob Dole.